Më gjatë në foltoren e deputetit kanë qëndruar deputetët Dajanço Eftimov, Zdravko Trajanov dhe Beti Stamenkovska Trajkoska, ndërsa më shpesh janë paraqitur për fjalë Zdravko Trajanov i cili 85 herë e ka marrë fjalën, Dajanço Eftimov dhe Bojan Stojanoski 70 herë dhe Lidia Petkoska 59 herë
Shkup, 31 gusht – Instituti për Demokraci në hulumtimin më të ri për punën e deputetëve vëren përkeqësim të cilësisë së debatit në Parlament ndërsa në fokus ishin pikat në rend dite nga fushat e sundimit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Më aktivë me përfshirje në diskutime ishin deputetët nga opozita, të cilët morën pjesë në 76% të diskutimeve të vëzhguara, përderisa deputetët nga pushteti morën pjesë në 24%. Më gjatë në foltoren e deputetit kanë qëndruar deputetët Dajanço Eftimov, Zdravko Trajanov dhe Beti Stamenkovska Trajkoska, ndërsa më shpesh janë paraqitur për fjalë Zdravko Trajanov i cili 85 herë e ka marrë fjalën, Dajanço Eftimov dhe Bojan Stojanoski 70 herë dhe Lidia Petkoska 59 herë.
Pjesëmarrja e grave në diskutime është 43% dhe përqendrohet në nivel relativisht të lartë, gjithashtu paraqet pjesëmarrje më të lartë të grave në diskutim në krahasim me mandatet e vëzhguara më parë. “Në shkallën prej 1 deri në 10, vlerësimi për cilësinë e debatit në Parlament në gjysmën e parë të vitit 2023 është 5.5, që është përkeqësim nga gjysmëvjetori i kaluar (korrik – dhjetor 2022) kur vlerësimi ishte 5.7. Këtë e tregon vëzhgimi i Institutit për demokraci në periudhën janar – qershor 2023”, ceket në kumtesën e Institutit.
Raporti për këtë periudhë, siç ceket, tregon nivel të ulët të cilësisë së debatit dhe e konfirmon konkludimin se ekziston hapësirë për përmirësim të konsiderueshëm. “Niveli i argumentimit ndjeshëm është përkeqësuar në krahasim me periudhën e kaluar të vëzhgimit korrik – dhjetor 2022. Folësit në 49% të daljeve të tyre të analizuara nuk patën argumente, përderisa në 44% argumentuan dobët. Në vetëm 7% e diskutimeve të vëzhguara folësit shfrytëzuan një argument për ta arsyetuar pozitën e tyre, që është në nivel pothuajse të njëjtë në krahasim me periudhën e kaluar. Vetëm tetë folës përdorën dy argumente, përderisa mbi dy argumente për ta mbështetur pozicionin e vet pati vetëm në 0,1% të daljeve të vëzhguara”, theksojnë nga Instituti për demokraci.
Deputetët në 11% e diskutimeve të vëzhguara përdorën fakte nga hulumtimi, përvoja, dokumentet dhe burimeve të tjera relevante si pjesë e arsyetimit të tyre, me çka konfirmohet niveli në përgjithësi i ulët i argumentimit.
Kur bëhet fjalë për raportin e deputetëve ndaj personalitetit të kolegëve të tyre nga partia tjetër politike, në 3 për qind të diskutimit është shprehur respekt që tregon rënie të dukshme në raport me periudhën e kaluar të vëzhgimit kur respekti ishte shprehur në 17% të rasteve. Raporti, siç potencohet, e konfrmon edhe kthesën e ulët konstante të deputetëve ndaj të drejtave të grupeve të margjinalizuara, nëpër të gjitha periudhat e vëzhgimit. Është vërejtur se deputetët në rreth 87,3% të diskutimit të tyre nuk u qasen të drejtave të grupeve të margjinalizuara, nëse në mënyrë specifike nuk diskutohet për një ligj të caktuar apo temë të rendit të ditës lidhur me të drejtat e tyre.
Instituti për demokraci prej qershorit të vitit 2014, e ndjekë cilësinë e debatit në Parlament dhe punën e Kuvendit në përgjithësi. Në janar të vitit 2022, filloi cikli i katërt i monitorimit, në kuadër të programit për mbështetje parlamentare (PMP), që është mbështetur nga Qeveria e Zvicrës. Ky projekt zbatohet në partneritet me Institutin demokratik nacional (NDI) dhe Qendrën për menaxhim me ndryshime (QMN). Përmbajtja e publikimit në asnjë rast nuk mund të konsiderohet se i reflekton qëndrimet e Qeverisë së Zvicrës.(koha.mk)
