Kryeministri teknik Talat Xhaferi, në paraqitjen e tij në seancën e parë, konstituive, të Qeverisë së sapozgjedhur porositi se detyra e tyre kyçe do të jetë përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të rregullta të lira, korrekte dhe demokratike në një procedurë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe ligjore.
Xhaferi i kumtoi pritjet nga puna e Qeverisë së re në pjesën e organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe për realizimin e obligimeve aktuale të Qeverisë, në interes të qytetarëve, njoftoi shërbimi për media i Qeverisë.
“Para nesh është një detyrë kyçe, përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të rregullta të lira, korrekte dhe demokratike në një procedurë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe ligjore. Në detyrën tonë, ne kemi obligim të bashkëpunojmë me Kuvendin dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Misionin e OSBE/ODIHR-it, por edhe me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, me qëllim që të sigurojmë standarde më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet me fokus të plotë në krijimin e kushteve në të cilat qytetarët do e shprehin qartë vullnetin e tyre në zgjedhje” tha Xhaferi.

Shtoi se do të sigurojnë funksionimin e rregullt të institucionit, bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen në punë dhe nga kjo Qeveri pres efikasitet dhe të jetë në funksion të interesave të qytetarëve, duke qenë transparente dhe llogaridhënëse.
“Pres që të gjithë anëtarët e Qeverisë të investojnë gjithë diturinë dhe përvojën e tyre dhe të punojnë me përkushtim në interes të qytetarëve dhe se të gjitha sfidat para nesh do tejkalojmë bashkë, në mënyrë transparente dhe profesionale” porositi Xhaferi.
