Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook shprehet se në këtë 111 vjetor të Pavarësisë, festat e nëntorit do të vijnë ndryshe.
Kjo pasi paradës së parashikuar më 28 nëntor do t’i bashkohen edhe shqiptarë të Diasporës.
Parada, ashtu siç është njoftuar edhe më herët do të zhvillohet në Sheshin “Skënderbej”.
Më pas do të vijohet me koncertin “Folk Fest” ku do të ketë pjesëmarrje të grupeve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Arbëreshët.
Më herët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi shqiptarët kudo që janë që të marrin pjesë në koncertin e madh festiv në sheshin “Skënderbej”, më 28 nëntor ora 20:30.
Përmes një postimi, Veliaj thotë se ky koncert do të bëjë bashkë dhe grupe artistike nga treva të ndryshme të vendit.
Kjo do të shënonte për herë të parë “ardhjen” në kryeqytetin shqiptar të “Paradës së shqiptarëve”.
Aktiviteti do të zhvillohet në bashkëpunim me “Albanian Roots”.
