www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

A po lëkundet shumica parlamentare?

Posted on March 30, 2026 by Djek

Tensionet u shtuan edhe më shumë pas veprimit të deputetit Mile Cekov, i cili, edhe pse pjesë e shumicës parlamentare, votoi në favor të Ligjit për pagën minimale të propozuar nga LSDM. Për media, ai e justifikoi këtë si një qëndrim parimor, duke theksuar se çështja e pagës minimale lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin e qytetarëve. Megjithatë, ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e grupit parlamentar të ZNAM-it

Ersan PAJAZITI

Shkup, 30 mars – Skena politike në vend po hyn në një fazë të re tensioni, ndërsa dilemat për stabilitetin e shumicës parlamentare po rikthehen në qendër të vëmendjes. Paralajmërimi i kryeministrit Hristijan Mickoski për një rikonstruksion të Qeverisë në muajin maj ose qershor ka hapur diskutime për përplasje brenda koalicionit, por edhe për lëvizje të mundshme të deputetëve mes kampeve politike. Mickoski bëri të ditur se do të bëhet analizë e performancës së ministrave, duke lënë të hapur mundësinë për zëvendësime apo rotacione në kabinetin qeveritar, me synim rritjen e efikasitetit të institucioneve.

Në të njëjtën kohë, opozitarja LSDM pretendon se partneri i koalicionit qeveritar – Lëvizja ZNAM, është në shpërbërje, pasi disa deputetë të saj votuan në mbështetje të propozimit të tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Megjithatë, këto pretendime u hodhën poshtë nga kryeministri Mickoski, i cili theksoi se koalicioni mbetet stabil. “Koalicioni me lëvizjen ZNAM nuk po shpërbëhet. Këto komente i takojnë rubrikës së humorit dhe satirës, jo politikës”, deklaroi ai. Reagim pati edhe nga ZNAM. Zëdhënësi i kësaj lëvizjeje, Nikolla Memov, mohoi kategorikisht pretendimet për kalime të deputetëve në kampe të tjera politike, duke theksuar se partia nuk planifikon përjashtime apo masa ndëshkuese dhe se anëtarësia është në rritje. “Secili funksionar ka të drejtë në qëndrimin e tij, por duhet të respektohen parimet programore të ZNAM-it, të bazuara në vlerat e Ilindenit dhe ASNOM-it”, tha Memov.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vazhdon të insistojë se ZNAM po shpërbëhet gradualisht dhe se tashmë janë duke u zhvilluar bisedime me deputetë të kësaj lëvizjeje për kalimin e tyre në opozitë, pa zbuluar emra konkretë. Ai theksoi se qytetarët po ndihen të zhgënjyer dhe se një pjesë e votuesve që mbështetën ZNAM-in në zgjedhjet e fundit tashmë e kanë kuptuar, sipas tij, se kanë bërë zgjedhje të gabuar.

Tensionet u shtuan edhe më shumë pas veprimit të deputetit Mile Cekov, i cili, edhe pse pjesë e shumicës qeveritare, votoi në favor të ligjit për pagën minimale të propozuar nga LSDM. Në një intervistë, ai e justifikoi këtë si një qëndrim parimor, duke theksuar se çështja e pagës minimale lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin e qytetarëve. Megjithatë, ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e grupit parlamentar të ZNAM-it, duke lënë hapësirë për spekulime të mëtejshme mbi zhvillimet e ardhshme.

Në këtë kontekst, paralajmërimi për rikonstruksionin e Qeverisë dhe tensionet brenda koalicionit kanë rikthyer në fokus edhe mundësinë e “transferimeve” të deputetëve dhe riformatimit të skenës politike. Mbetet për t’u parë nëse këto zhvillime do të çojnë në forcim të shumicës aktuale apo në lëkundje të saj, në një moment kur vendi përballet edhe me sfida të rëndësishme politike dhe ekonomike.(koha.mk)

Lajmet e fundit…

  • Lushtaku ka një pyetje për Albulena Haxhiun
  • Paralajmërohet heqja e bllok-tarifave: Rryma mund të shtrenjtohet deri në 34%
  • Studentët gati për protestën e radhës për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, Ademi: Të jemi të bashkuar
  • Kongresi i VLEN, Albin Kurti në krah të Mickoskit, për herë të parë ‘harrohet’ himni shqiptar, reagime të ashpra në RMV dhe Kosovë
  • Provokim i ri ndaj shqipes! #Stoilkoviqi i shpall “luftë” Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara