“Greqia po merr masa shumë të rrepta sigurie për vizitën e nesërme të kryeministrit Edi Rama në Athinë, që do të nisë pas mbërritjes së tij në aeroportin “Eleftheros Venizelos” rreth orës 09:00. Kështu shkruan gazeta greke “Protothema”.
Qindra punonjës policie do të jenë në dispozicion për të siguruar kalimin e qetë të Edi Ramës drejt vendit ku do të zhvillohet takimi i planifikuar dhe për ta mbrojtur deri në momentin e largimit, me një numër në rritje ose në zvogëlim të forcave policore, sipas nevojës.
Referuar informacioneve të gazetës, Edi Rama do të shoqërohet nga afërsisht 150 persona. Në këtë grup do të jenë anëtarë të kabinetit të tij, deputetë dhe 50 gazetarë, të cilët do të shkojnë direkt në sallën “Galatsi”.
Fjalimi në Teatrin e Krishtlindjes do të mbahet rreth orës 11:00, por gjatë ditës, Edi Rama do të zhvillojë edhe takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë së tij e biznesmenë si dhe pritet të shpërndajë broshurat për marrëdhëniet dypalëshe. Rreth orës 18-19:00, Rama do të largohet nga Athina.
Në një postim në Facebook, shefi i qeverisë flet lidhur me një “moment të rëndësishëm krenarie për të gjithë shqiptarët në Greqi”. Po ashtu, ftesa e tij shoqërohet edhe me një kompozim vizual të Akropolit me flamujt e dy vendeve fqinje, Shqipërisë e Greqisë.
Një ditë para vizitës në Athinë të kryeministrit Edi Rama, drejtuesi politik i qarkut Tiranë, Erion Veliaj kishte një thirrje për të gjithë shqiptarët atje.
Për të gjithë ata që kanë njohje në Greqi, sidomos në zonën e Athinës, është e rëndësishme të lajmërojnë. Tani që kemi edhe një pallat sporti për të mbushur, besoj fort se miqtë, vëllezërit, shokët, shoqet që kemi në Athinë do t’i përgjigjen thirrjes së kryeministrit për këtë tur, që nis nga Athina e vazhdon edhe në qendrat e tjera të mëdha ku ka shumë shqiptarë, në Europë. Mezi pres që të kemi një fundjavë aksioni dhe të dalim të gjithë faqebardhë me zgjedhjet e hapura, një anëtar një votë në PS.
