
Humbja më e madhe historike e LSDM-së dhe suksesi më i madh historik i VMRO-DPMNE-së. Sipas rezultateve jozyrtare që i kemi deri më tani, VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate, që e bën atë veçanërisht të kënaqur, sidomos për faktin se fitoi dyfish jo vetëm në zgjedhjet parlamentare por edhe në zgjedhjet presidenciale. Festimi i fitores mbrëmë vonë filloi para selisë së VMRO-DPMNE-së dhe më pas u zhvendos në sheshin qendror. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ka uruar fitoren. Qeveria në Maqedoni ra dhe ka arsye për këtë, tha ai.
“Ia dolëm, ia dolëm, ia dolëm. Maqedonia fitoi. Fitorja historike e popullit. Kjo gjeneratë ka mundësinë unike për të krijuar një kapitull të ri në të cilin Maqedonia do të jetë krenare dhe Maqedonia do të jetë juaja dhe do të ketë një të ardhme që do të bazohet në vlera dhe shpresë. Kemi rifituar shpresat dhe sonte kemi arsye për të festuar”, tha Mickoski.
E nëse pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale Mickoski ka pasur një bisedë telefonike me Taravarin për pjesëmarrje në Qeveri, tani ka biseduar me Kasamin, por gjatë ditës së djeshme ka pasur komunikim të vazhdueshëm me liderët e VLEN-it. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë negociatat zyrtare me këtë koalicion.
“Kam biseduar me kryetarin e Komunës së Tetovës z.Bilall Kasami, i cili sinqerisht uroi fitoren e dyfishtë për presidentin e ardhshëm dhe fitoren e koalicionit Maqedonia tuaj, e përgëzoj për rezultatin jashtëzakonisht të mirë dhe cilësor të koalicionit VLEN, ndërsa gjatës ditë fola disa herë me z.Arben Taravari dhe z.Izet Mexhiti.
– Kur do të filloni bisedimet?
Epo, do të shikojmë ta bëjmë atë sa më shpejtë që është e mundur“, tha Mickoski.
Për dallim nga euforia e fitores në selinë e VMRO-DPMNE-së, në LSDM, heshtje totale. Edhe pse është partia e dytë për nga numri i votave, ajo është në vendin e tretë, pas BDI-së, për nga numri i mandateve të fituara d.m.th. me 18 mandate. Kryetari i partisë, Dimitar Kovaçevski, e uroi fitoren e VMRO-DPMNE-së dhe e pranoi humbjen e madhe.
“Rezultati i sotëm është zhgënjyes. LSDM-së i është dhënë një goditje e rëndë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga përkrahësit dhe simpatizantët e partisë. Në periudhën e ardhshme do t’i analizojmë këto rezultate në detaje. Gjithsesi, në muajt e ardhshëm do të duhet të gjejmë më seriozisht dhe më thellë burimin dhe arsyet e këtij rezultati dërrmues”, tha Kovaçevski.
Pas rezultateve të këqija, dorëheqjet e para dorëzuan nënkryetarët Fatmir Bytyqi dhe Pero Kostadinovski. Bytyqi kërkoi dorëheqje nga e gjithë kryesia e LSDM-së. Edhe pse pritej që Kovaçevski të jepte dorëheqjen i pari, ai tha se kjo do të shqyrtohet nga organet partiake. Ai erdhi në foltore i shoqëruar nga anëtarë të rinj, një numër i vogël nga kryesia dhe disa bartës të listave. Shumë shpejt në mbrëmje anëtarësia u largua nga selia, dyert u mbyllën, dritat u fikën.
“Në përputhje me Statutin e partisë, do të thirret një kongres llogaridhënës i partisë ku do të shqyrtohen arsyet e rezultatit zgjedhor dhe funksionimi i partisë për periudhën 2020-2024 dhe afatet për konsolidimin e LSDM-së përmes zgjedhjes së kryetarit, kryesisë së partisë, kryetarëve të organizatave komunale dhe të gjitha organeve të tjera”, tha Kovaçevski.
Përveç VMRO-DPMNE-së me 58 mandate dhe LSDM-së me 18 mandate, në përbërjen e re të Kuvendit janë edhe koalicioni i Frontit Europian të udhëhequr nga BDI me 19 deputetë, koalicioni VLEN me 13, ndërsa ZNAM e Maksim Dimitrievskit dhe Levica kanë nga 6 deputetë.
