
Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate, nuk beson se vendi do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, siç deklarojnë shumë përfaqësues të partive tjera politike.
“Me bllokadën bullgare dhe, për fat të keq, me konsensusin e plotë që është ende i vlefshëm dhe me shumë gjasa nuk do të ndryshojë në kuadër të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus, kam frikë se nesër Bullgaria mund sërish të përsërisë veton ndaj Maqedonisë së Veriut”, thotë Pendarovski në një intervistë për Radion Evropian e Lirë.
Kandidati për president që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate dhe shumë parti tjera më të vogla dhe organizata joqeveritare, si problem shqetësues për Maqedoninë e Veriut e thekson humbjen e besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor, vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore që lanë të lirë mbi 200 ish-zyrtarë të lartë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
“Fatkeqësisht, në vitin e fundit nuk kemi bërë ndonjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe këtu mendoj se vlerësimi është absolut, edhe në opinionin e gjerë, edhe në Bruksel, edhe në Shkup, se këtu kemi dështuar më së shumti”, thotë Pendarovski.
Duke folur për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut, Pendarovski thotë ai nuk është në nivelin që ishte në vitin 2018 kur u mbajt referendumi për çështjen e emrit.
“Kjo nuk do të thotë se sot nuk kemi ndikim rus, i cili vjen më së shumti përmes rrjeteve sociale. Vitin e kaluar kemi pasur disa sulme të rënda kibernetike ndaj institucioneve vitale… megjithatë, ende nuk është në nivelin që ishte më 2018 dhe 2019”, thotë Pendarovski.
Ai në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill, e në veçanti në rundin e dytë që do të mbahet më 8 maj, pret votat e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Pendarovski, në fushatën tuaj për president e keni një narrativë se në mandatin që po kalon “nuk keni bërë asnjë gabim strategjik” edhe pse, nga ana tjetër, në fjalimin tuaj të fundit vjetor në Kuvend deklaruat se “nuk jeni pa mëkate” dhe se ndoshta duhet të kishit vepruar ndryshe kur merrnit disa vendime. Për cilat vendime në veçanti nuk jeni të sigurt dhe mendoni se mund të keni bërë një gabim?
Stevo Pendarovski: Këtë tezë që e përmendni nga fjalimi vjetor, e bazoj në mitingjet me qytetarët në kuadër të fushatës. Së pari, ne nisemi nga supozimi se nuk ka asnjë person që është pa mëkat. Sigurisht, çdo person i gjallë ndonjëherë bën gabime. Megjithatë, ndryshimi në dy tezat që përmendni është se unë them që nuk kam bërë një gabim strategjik, një gabim i madh që do ta kthente vendin prapa.
Nuk e kam problem ta them para publikut të gjerë dhe e kam thënë, ka pasur disa momente që mund të kisha vepruar ndryshe. Një nga ato momente është çështja e vetingut apo kontrollit të pasurisë së zyrtarëve, në radhë të parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilën jam angazhuar në vitin 2016 si titullar në njësinë e parë të zgjedhur dhe në fund dëgjuam partnerët tanë strategjikë nga Brukseli dhe nuk e bëmë atë proces.
Duke parë rezultatet sot, pas 7-8 vjetësh, që nga viti 2016, zgjedhjet parlamentare dhe besimin e qytetarëve që është afër zeros në sistemin gjyqësor, mendoj se duhej ta kisha, edhe pse nuk kam qenë në pozicion për të vendosur – nuk isha as kryeministër i asaj kohe, as president – mendoj se duhej të ishim më këmbëngulës dhe të thoshim, pavarësisht përvojave negative që na thanë nga Shqipëria në atë kohë.
Do të ishte më mirë të kishim një të tretën, siç ndodhi në Shqipëri, të gjyqtarëve të verifikuar dhe me dinjitet, të cilët do të dinë të gjykojnë në mënyrë të paanshme, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, sesa të kishim sot një strukturë gjyqësore në të cilën, për fat të keq, qytetarët janë dyshues ndaj të gjithëve.
Edhe pse, sigurisht, shumica e njerëzve atje janë të ndershëm, punojnë me rrogë dhe janë profesionistë, disa prej tyre profesionistë të lartë, por, thjesht është krijuar perceptimi se nuk kanë mbetur gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, të cilët gjykojnë, apo gjykojnë vetëm sipas diktatit të qendrave të pushtetit politik dhe ekonomik.
Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë se ju ende këmbëngulni për korrigjimin e vendimit, me të cilin keni dekretuar ndryshimet në Kodin Penal?
Stevo Pendarovski: Po, po. Pra, shikoni, në këtë pjesë mund të debatojmë sa të duam, por unë mendoj se problemi me gjendjen gjyqësore dhe besimin e qytetarëve në atë sistem gjyqësor është në një nivel të tillë, jo për shkak të ligjeve, por për shkak të njerëzve që i zbatojnë ose jo ligjet, ose i zbatojnë ato në mënyrë selektive.
Një gjë vlen për ata që janë në pozitë apo pushtet, një tjetër gjë vlen për ata që janë shtresa më të ulëta shoqërore, le të themi, ose nuk kanë lidhje me politikën.
Ja një shembull konkret.
Kemi disa raste të njohura publikisht të figurave kryesore politike që kanë qenë të përfshira në disa nga ato procese. Një prej tyre është edhe rasti i “Maxhar Telekom”, të cilin askush nuk e përmend në lidhje me ndryshimet e fundit në Kodin Penal. Kjo çështje është gjykuar për 12 vjet e gjysmë. Nuk ka asnjë gjykim përfundimtar.
Ndërkohë, gjykata në Nju Jork ka vendosur për disa prej tyre dhe ka bërë një marrëveshje gjyqësore për disa prej tyre. Pra, 5-6 vjet më parë, procedura në Amerikën e largët përfundoi për gjërat që ndodhën këtu.
Dhe, tani, a është faji te ndryshimet në Kodin Penal, siç themi ne, apo gjyqtarët, apo gjyqtari nuk e di as kush është ai që e ka mbajtur çështjen në sirtar dhe nuk ka vendosur për një aferë që pati epilog në gjykatën e Nju Jorkut?
