Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, pasi të mërkurën Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare, por duke mos përmendur fare zotimin për krijimin e “Zajetnicës” të cilën e ka bërë Kurti, Osmani e Konufca, pasi Kosova të bëhet pjesë e KiE.
Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka punuar dy vite e gjysmë pa u ndalur sipas tij dhe se kjo punë pritet në pranverë të kurorëzohet më sukses.
Mirëpo i pari i ekzekutivit nuk e përmendi fare faktin se ai së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, i kanë dërguar letër raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis, ku shprehën zotimin për zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, të cilat e përfshijnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Gazeta Metro.
“Besoj se kjo është një arritje e madhe për Kosovën, për të cilën Qeveria e Republikës ka punuar dy vjet e gjysmë pa u ndalur dhe më në fund në këtë Pranverë gjithçka do të kurorëzohet me sukses. Ky është vetëm hapi i parë në këtë pranverë. Hapi tjetër vie në mes të prillit kur do të votohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe hapi përmbyllës është ai në Këshillin e Ministrave në maj”, tha Kurti.
Rreth këtij vendimi, Kurti tha se ky është vetëm hapi i parë, teksa muajin tjetër do të votohet në Asamblenë Parlamentare në Këshill të Europës dhe hapi përmbyllës është ai në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në muajin maj.
Kurti tutje tha se ky është një lajm i mirë për krejt Europën e demokracinë, që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda Këshillit të Evropës.
“… është lajm tejet i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda”, u shpreh Kurti tutje para mediave.
Duhet theksuar se në takimin e së mërkurës në Paris, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci e ka miratuar me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim opinionin e raportueses, Dora Bakoyannis, me rekomandimin që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Europës.
Kosovën e presin edhe dy hapa të rëndësishëm që të bëhet përfundimisht pjesë e KiE.
Ndërsa është bërë e ditur se hapi tjetër drejt anëtarësimit të Kosovës në KiE, pritet të ndodh me 18 prill, ku do të ketë një debat plenar në Asamblenë e Parlamentare të KiE, e aty do të ketë edhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin që është miratuar sot.
Pas kësaj, nëse votohet me sukses, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti.
Ndryshe, Kosova e dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj të vitit 2022, derisa më 24 prill 2023, aplikacioni iu përcoll për konsultim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Europës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.
