Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.
Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson.
Pakoja përfshin artileri dhe municion të artilerisë, anije detare luftarake dhe pajisje të tjera, tha Suedia.
Vendimi i Suedisë vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut Perëndimit për ndihmë gjatë një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit të hënën.
