www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

Irani shënon 45-vjetorin e Revolucionit Islamik, teksa rriten tensionet rajonale!

Posted on February 11, 2024 by User User1

Irani ka shënuar të dielën 45-vjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979, teksa rriten tensionet në Lindje të Mesme, për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Mijëra iranianë kanë marshuar nëpër rrugë dhe sheshe, të mbuluar me flamuj të shtetit dhe slogane fetare.

Në Teheran, turmat kanë mbajtur flamuj dhe kanë bartur mbishkrime me thirrjet tradicionale “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”.

Disa i kanë djegur flamujt amerikanë dhe izraelitë, praktikë e shpeshtë në marshet pro-qeveritare iraniane.

Sipas televizionit shtetëror “miliona njerëz”, kanë marshuar nëpër gjithë Iranin.

Ushtria ka shpërfaqur një mori raketash, përfshirë raketat balistike Qassem Soleimani dhe Sejjil, si dhe bartësen e salitetit Simorgh, në shesh të kryeqytetit, duke u dhënë rast shumë banorëve të bëjnë fotografi afër tyre.

Gjatë festimeve, një parashutist është parë me flamurin palestinez.

Ky përvjetor shënohet një muaj pas sulmit vdekjeprurës të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) në qendër të qytetit Kerman, duke lënë të paktën 95 persona të vdekur në ceremoninë e përkujtimit të gjeneralit Qassem Soleimani, i cili është vrarë më 2020 nga një dron amerikan.

Irani ka tentuar të fajësojë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për sulmin, teksa ofensiva izraelite në Gazë është duke vazhduar.

Republika Islamike ka nisur sulme me raketa në Irak dhe Siri.

Raketat iraniane dyshohet se kanë goditur grupin militant sunit kundër Iranit, Jaish al-Adl në Pakistan, i cili më pas është kundërpërgjigjur me sulme në Iran, duke i thelluar tensionet në rajon, të nxitura prej luftës Izrael-Hamas.

Përgjatë janarit, në një sulm me dronë janë vrarë tre pjesëtarë të ushtrisë amerikane në Jordani, nga disa fraksione të mbështetura prej Iranit, të njohura si “Rezistenca Islamike”.

SHBA-ja e ka mbajtur përgjegjësi Iranin.

Irani, më pas, ka kërcënuar me përgjigje vendimtare ndaj secilit sulm amerikan në Republikën Islamike.

Revolucioni Islamik ka nisur me trazira në gjithë Iranin, lidhur me udhëheqësinë e Shah Mohammad Reza Pahlavit.

Shahu, i sëmurë me kancer, ka ikur prej shtetit në janar të vitit 1979.

Ayatollah Ruhollah Khomeini, më pas, është kthyer prej ekzilit dhe e ka formuar qeverinë më 11 shkurt 1979, disa ditë pas protestave masive dhe përleshjeve në mes të protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Lajmet e fundit…

  • Kaltrina Beqiri: Qeverinë teknike e dërgojmë në histori
  • “Prindërit tanë ranë dëshmorë për gjuhën shqipe”, #Organizatori i protestës së studentëve në Shkup: Kanë frikë se ne fitojmë shumë të drejta
  • PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese
  • Provokimi në Shkup, ministri i Mbrojtjes së RMV përulet me ceremoni para pllakës përkujtimore ku shqiptarët etiketohen si terroristë
  • Edhe pse disа banorë të Çairit kanë kërkuar që mos të mbyllet vendkalimi për këmbësorët pranë Bit-Pazarit, Qyteti i Shkupit është i vendosur të vendosë gardh dhe ta mbyll pergjithmonë

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara