Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur gjatë një tubimi në Çair, në Maqedoninë e Veriut më 11 gusht 2023.
Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Kjo u bë e ditur më 24 dhjetor gjatë një ceremonie për hapjen e zyrave të opozitës në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski, u shpreh i befasuar pasi që tha se ka parë vetëm raste kur parti të huaja mbështesin parti simotra në zgjedhje të vendeve të tjera, por jo edhe të marrin pjesë vetë në to.
“Unë deri tani nuk kam dëgjuar që parti nga shtete tjera të marrin pjesë në procese zgjedhore në shtete të tjera. Megjithatë, duhet të shihet se çfarë saktë mendon blloku opozitar pasi nëse partitë nga shtetet fqinje nisin të marrin pjesë në zgjedhjet në shtetin tonë, atëherë mund të ndodhë që parti edhe nga shtetet tjera të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, tha Kovaçevski.
“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar. Megjithatë, duhet të shihet se si e mendojnë pjesëmarrjen në zgjedhje dhe gjithsesi që duhet të shikohet Kodi Zgjedhor sa u përket partive që janë të regjistruara e kështu me radhë”, shtoi ai.
VV-ja nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare – Lëvizjes Besa, partisë Alternativa dhe Lëvizjes Demokratike – pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.
