
Një ekip policësh peruan, njëri prej të cilëve ishte maskuar si Santa Claus për të mbetur “i pazbuluar”, kreu një operacion kundër një bande tregtarësh droge në një qytet në veri të Limës, thanë sot autoritetet lokale. Policia arriti të befasojë dy burra që po shisnin krak dhe marihuanë në një shtëpi në Huaral, rreth 70 kilometra larg Limës.
“Një pjesëtar i një grupi policësh është maskuar si Santa Klaus për të mbetur pa u vënë re në atë zonë të rrezikshme”, tha policia, duke shtuar se kjo “strategji u kurorëzua me sukses”. Polici, i cili ishte i veshur me kostumin tradicional të babadimrit, kishte për detyrë të thyente derën e shtëpisë dhe të arrestonte një nga të dyshuarit.
Në aksion u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan njëqind pako krak dhe marihuanë, vlera e të cilave ende nuk është përcaktuar nga organet kompetente. Prej disa kohësh, policia peruane ka vënë në shënjestër rregullisht kriminelë të dyshuar duke përdorur maska dhe duke kryer operacione të nisura në data të veçanta.
