Vazhdon gara dhe grindja mes partive politike shqiptare për atë se kujt i takon vendi i lirë për anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Këto paqartësi lindën që kur Aleanca për Shqiptarët vendosi t’i bashkangjitet pushtetit, e anëtari i tyre i atëhershëm në KSHZ Krenar Lloga, tanimë është ministër. Kreu i ASH-së Arben Taravari, thotë se ky vend edhe më tej i takon Aleancës, përshkak se Izet Mexhiti ka përfaqësuesin e BDI-së, Besa të LSDM, e Alternativën duhet ta përfaqësojë Aleanca.
“Anëtari i KSHZ-së i takon Aleancës për Shqiptarët pasi që për anëtarin në KSHZ vendosin qytetarët në zgjedhjet parlamentare. Ai vend i ka takuar ASH, opozita e kuptoj se ka kërkesë por Izet Mexhiti ka dalë me BDI-në dhe BDI-ja ka përfaqësues në KSHZ. BESA ka qenë në koalicionim me LSDM-në dhe LSDM-ja ka anëtar në KSHZ dhe Alternativa ka qenë së bashku me Aleancën dhe përfaqësuesi i Aleancës është përfaqësues i këtij koalicioni të KSHZ-së.”- deklaroi Arben Taravari – Kryetar i ASH.
