Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shpejtësia e integrimit evropian të një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian varet nga cilësia e administratës publike.
Për këtë, Kurti në konferencën “KosovaPar2023, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme shtoi se reforma e administratës publike është prioriteti i qeverisë.
“Administrata Publikë është reforma që mundëson reforma të tjera. Ajo sjell përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe integrimin evropian e euroatlantik. Qeveria është duke punuar me ekspert ndërkombëtar. Është bërë shumë punë e madhe në ligjin për zyrtarët publik dhe ligjin për pagën e zyrtarëve publik”, tha Kurti
.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla potencoi se synimi për një administratë dhe efikase nuk ishte vetëm një premtim.
“Ne duam një administratë që respekton qytetarin. Kemi filluar procesin për një administratë profesionale dhe të depolitizuar që funksionon mbi parimet e efikasitetit e llogaridhënies”, shtoi ai.
“Administrata publike në Kosovë ka një mision shtesë shumë të rëndësishëm për të cilën po punojmë fort e që është mbështetja e proceseve drejt anëtarësimit tonë në BE”.
Ndërkaq Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka thënë se administrata publike garanton stabilitet për të gjithë njerëzit në Kosovë.
”Reformat e domosdoshme kërkojnë ndryshime dhe kjo ka sfida, për këtë është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithëve”, potencoi ai.
Në konferencën KosovaPar2023, po marrin pjesë pjesëmarrës nga 20 shtete të botës.
Kjo konferencë do të vazhdoje për dy ditë, ku do të diskutohet për reformat në Administratën Publike për një qeverisje të mirë, të qëndrueshme dhe fleksibile.
