Projektbuxheti për vitin 2024 që tashmë është miratuar në Qeveri dhe pritet të votohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nuk mund të quhet zhvillimor dhe është larg mundësive reale për realizimin e parashikimeve të ekzekutivit. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve të ekonomike, duke komentuar politikat e Qeverisë sa i përket aspekteve ekonomike që parashikohen me buxhetin për vitin e ardhshëm.
Projektbuxheti i miratuar nga Qeveria e ka shifrën më të lartë në krahasim me të kaluarën – 5.5 miliardë euro, apo 5.8 për qind më e lartë sesa më 2023.
Deficiti buxhetor është projektuar në 9.2 miliardë denarë apo rreth 550 milionë euro.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, gjatë prezantimit më 15 nëntor thanë se bëhet fjalë për një “buxhet zhvillimor dhe të qëndrueshëm që ka të gjitha karakteristikat për të mbështetur njëkohësisht zhvillimin dhe për të siguruar qëndrueshmëri fiskale”.
Gjatë vitit 2024, Qeveria maqedonase parashikon rritje ekonomike prej 3.4 për qind dhe inflacion prej 3.6 për qind.
Shuma e projektuar për investimet kapitale kap vlerën e 733 milionë eurove, për të cilat ministri Besimi u shpreh optimist se do të realizohen edhe pse viti i ardhshëm është vit zgjedhor.
“Gjatë zgjedhjeve projektet nuk ndërpritet, por nuk mund të promovohen apo të fillojnë projekte të reja. Ato që janë projektuar, mund të realizohen, sepse janë në vazhdim e sipër”, tha Besimi.
Sipas Qeverisë, subvencionet për energjinë elektrike do të vazhdojnë edhe në vitin 2024 sikurse edhe ndihmat tjera për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.
“Vitin e ardhshëm janë planifikuar 3.5 miliardë denarë [56.9 milionë euro] për masa kundër krizës. Kategoritë më të prekura, ata me pensione të ulëta dhe rastet sociale do të mbulohen me masat që janë duke u projektuar”, tha kryeministri Kovaçevski.
Për dy ciklet zgjedhore në vitin 2024 janë siguruar gjithsej 16 milionë euro. Më shumë para do të shpenzohen edhe për pensione dhe paga më të larta në administratë, sipas marrëveshjeve të reja sindikale.
