www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

Në BE kërkohen masa ndaj Serbisë nëse dëshmohet lidhja me sulmet në Banjskë

Posted on September 27, 2023September 27, 2023 by User User1

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën mbrëma për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, masa duhet vënë këtij vendi edhe nëse dëshmohet roli i Serbisë në dërgimin e armatimit në territor të Kosovës, i gjetur së fundi nga Policia e Kosovës në veri.

Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë janë vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.

“Ajo që ka ndodhur të dielën në veri të Kosovës, sasia e armëve që është gjetur, dhe informacionet që po i marrim nga terreni vazhdimisht, janë duke e ndryshuar lojën”, kanë thënë burimet brenda BE-së.

Sipas tyre, në takim kanë folur përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe më pas i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Gjatë diskutimit është thënë të jetë shprehur mbështetje e plotë ndaj Lajçakut për vazhdim të dialogut mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Rundi i fundit i dialogut të nivelit të lartë, i mbajtur më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Vendet anëtare të BE-së e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet rasti dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Edhe para sulmeve të 24 shtatorit, disa vende i kanë kërkuar kryediplomatit evropian, Josep Borell, të mos e mbajë vetëm Kosovën përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës në veri, në maj të këtij viti.

Atëbotë, tensionet kanë qenë të larta dhe situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë, pasi serbët lokalë të komunave veriore – të banuara me shumicë serbe – nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara prej komunitetit serb.

Bashkimi Evropian pati prezantuar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për atë situatë, ndonëse më vonë dy palët kanë arritur marrëveshje për shtensionim.

Një prej pikave ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri, por datë për to nuk ka ende.

Lajmet e fundit…

  • Dy punonjës të Gjykatës së Shkupit përfunduan në pranga për ryshfet
  • Bashkimi Demokratik për Integrim: Projekti ynë për Korridorin 8 konfirmohet dhe nuk mund të ndalet
  • Mickoski: Arben Fetai largohet nga Qeveria, do të kthehet në Bruksel
  • “Hap një dritare drejt botëve të reja”, hapet Panairi i Librit 2026 në Shkup
  • “Fetai merr rrogë por nuk shkon në punë”! Aliu: Pasi 9 majit do të jemi shembull se si mund të funksionohet ndryshe

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara