Kryeministri Dimitar Kovaçevski është i bindur se do të tejkalohet problemi me pagat e punëtorëve në SH.A. “Ekonomia e Ujërave”. Ai tha se janë duke punuar për një zgjidhje afatgjate për ndërmarrjen dhe synimi është që të mundësohet funksionimi i saj i përhershëm dhe fitimprurës.
Do të duhet, theksoi ai, të bëhet një ristrukturim për të parë saktësisht se cilat pjesë sjellin të ardhura, ndërsa cilat duhet të riorganizohen, por kjo nuk do të thotë se dikush do të mbetet pa punë, por se ku duhet të drejtohen burimet të cilat do të përdoren më së miri nga kompania.
Qeveria në periudhën e kaluar përmes zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, ministrit të Financave dhe ministrit të Bujqësisë, gjithmonë ka arritur të gjejë një zgjidhje për funksionimin operativ të SHA “Ekonomia e ujërave”. Jam i bindur që edhe tani do të gjendet një zgjidhje, por po punohet edhe për një zgjidhje afatgjate nga ana e kësaj SHA për të siguruar funksionimin e saj të vazhdueshëm dhe fitimprurës. Në mënyrën se si funksionon, vështirë se është e mundur të sigurohet një funksionim fitimprurës. Prandaj do të duhet të bëhet një ristrukturim i kompanisë për të parë saktësisht se cilat pjesë sjellin të ardhura dhe cilat duhet të riorganizohen. Kjo nuk do të thotë se dikush do të mbetet pa punë, do të thotë se burimet do të duhet të drejtohen atje ku do të përdoren më së miri nga vetë kompania, theksoi Kovaçevski.
Sipas kryeministrit, SHA “Ekonomia e ujërave” është një kompani jashtëzakonisht e rëndësishme sepse kujdeset për furnizimin me ujë, para së gjithash në bujqësi.
Kjo është një kompani e cila është e ekspozuar ndaj kostove të mëdha si për mirëmbajtjen infrastrukturore të ujësjellësve, ashtu edhe për sa i përket punës operative – një numër i madh i të punësuarve, pagesë që nuk është në nivelin e duhur, gjë që e ndërlikon edhe punën e tyre”, tha Kovaçevski.
Punonjësit nga SHA “Ekonomia e ujërave” sot kërkuan që Qeveria të gjejë urgjentisht një zgjidhje që do të garantonte pagesën e pagave të tyre. Siç thanë ata duke shprehur revoltën publike, nuk kanë marrë rrogë për muajin korrik dhe nuk dihet nëse do ta marrin në muajt në vijim, deri në fund të vitit. Nëse nuk marrin përgjigje konkrete në një kohë sa më të shkurtër, nga e hëna, siç kanë paralajmëruar, do të organizojnë protesta.
