www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

Zjarret në Greqi të regjistruara në BE si zjarre më të madha që nga fillimi i regjistrimit të zjarreve në vitin 2000

Posted on August 29, 2023August 29, 2023 by User User1

Mekanizmi i mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian tha të martën se ka dërguar në Greqi 12 avionë, 400 zjarrfikës dhe 60 automjete për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, që cilësohen të jenë më të mëdhatë ndonjëherë në Evropë.

Zjarret në pjesën verilindore të Greqisë, që vazhdojnë prej 11 ditësh, kanë shkatërruar një zonë që është më e madhe se qyteti i Nju Jorkut, njoftuan autoritetet evropiane.

Bashkimi Evropian njoftoi se mbi 81 mijë hektarë ishin djegur në zonën verilindore të Greqisë, duke e cilësuar atë si zjarrin më të madh që nga fillimi i regjistrimit të zjarreve në vitin 2000 nga Sistemi Evropian i Informimit për Zjarret në Pyje.

“Komisioni Evropian po koordinon përpjekjet e ndihmës në fronte të ndryshme përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së në të gjithë Evropën. Veçanërisht në Greqi po përballemi me zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Janë rreth 20 harta të zonave të prekura nga zjarret, sipas sistemit satelitor evropian, Copernicus”, thotë zëdhënësi i Komisionit Evropian Balazs Ujvari.

Zjarret në pjesën verilindore të Greqisë, që vazhdojnë prej 11 ditësh, kanë shkatërruar një zonë që është më e madhe se qyteti i Nju Jorkut, tha të martën Shërbimi për Ndryshimet Klimatike Corpernicus i Bashkimit Evropian.

Shërbimi Copernicus shkroi në rrjetin social X se zjarret kanë djegur një sipërfaqe prej të paktën 808 kilometrash katrorë. Qyteti i Nju Jorkut shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 778 kilometrash katrorë.

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën. Shumica e viktimave besohet se janë migrantë që përpiqeshin të kalonin nëpër male nga Turqia, për të shmangur policinë.

Autoritetet druhen se mund të ketë më shumë viktima. Avionë dhe zjarrëfikës nga vende të ndryshme të rajonit, përfshirë edhe nga Shqipëria, po luftojnë me flakët. Autoritetet thonë se rreziqet nga zjarri vazhdojnë të jenë të larta.

Qeveria thotë se kushtet, të cilat shkencëtarë i lidhin me ndryshimet klimatike, i kanë bërë zjarret edhe më intensive këtë vit.

Ndërkohë, banorët në një periferi të Athinës kanë punësuar një kompani që shfrytëzon dronët me rreze të gjatë veprimi, të pajisura me kamera dhe programe kompjuterike të specializuara për zbulimin e vatrave të zjarrit.

Është një operacion i provuar dhe testuar më parë. Dronët e ndërtuar me ndihmën e një piloti të linjave ajrore komerciale dhe i mbështetur nga kryebashkiuaku i një zone bregdetare të Athinës, u futën në përdorim vitin e kaluar. Këta dronë kanë dhënë paralajmërime të hershme për zjarret që nga futja e tyre në përdorim mbi 18 muaj më parë.

“Ana pozitive e këtij programi me dronë është se nuk humbasim kohë për të informuar qendrën për fillimin e mobilizimit. Dronët na ofrojnë pamjet nga pikat ku ka tym apo zjarre dhe informojmë zjarrfikësit në mënyrë atomatike nëse shkojmë për të verifikuar apo shuar zjarret dhe në rast se na duhen përforcime”, thotë Giorgos Dertilis, kreu i njësisë së zjarrfikësve vullnetarë të zonës.

Dronët fluturojnë gjatë gjithë kohës dhe pilotët punojnë në turne gjashtë orëshe. Qeveria lokale thotë se bashkitë dhe qarqet e tjera po tregojnë interes për programin me dronë.

Lajmet e fundit…

  • Kaltrina Beqiri: Qeverinë teknike e dërgojmë në histori
  • “Prindërit tanë ranë dëshmorë për gjuhën shqipe”, #Organizatori i protestës së studentëve në Shkup: Kanë frikë se ne fitojmë shumë të drejta
  • PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese
  • Provokimi në Shkup, ministri i Mbrojtjes së RMV përulet me ceremoni para pllakës përkujtimore ku shqiptarët etiketohen si terroristë
  • Edhe pse disа banorë të Çairit kanë kërkuar që mos të mbyllet vendkalimi për këmbësorët pranë Bit-Pazarit, Qyteti i Shkupit është i vendosur të vendosë gardh dhe ta mbyll pergjithmonë

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara