“Ukrainasit nuk do ta fitojnë kurrë luftën, ata kurrë nuk do të rifitojnë të gjitha territoret e humbura”. Për këtë është shprehur i bindur Alfredo Mantici, ish-kryeanalist i Sisde dhe ekspert i inteligjencës. Kohët e fundit atmosfera ka ndryshuar, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vazhdon të refuzojë çdo zgjidhje që nuk parashikon fitore totale, por ka nga ata që besojnë se fillimi i negociatave me Rusinë është vetëm çështje kohe. Madje shumë media perëndimore, shkruajnë se mund të nisin në vjeshtë. Kjo ndjenjë, shpjegon Mantici në një intervistë për “Il Messaggero”, ka filluar të bëjë përparim jo vetëm në nivel teknik, por edhe në atë politik.
“Nëpërmjet burimeve anonime, opinioni publik perëndimor ka filluar të diskutojë shumë shpesh idenë se kjo luftë nuk do të përfundojë me rënien e Putinit apo me marshimin triumfal të ushtrisë ukrainase në Sheshin e Kuq”, thotë eksperti.
Sipas Manticit, konflikti ukrainas do të përfundojë me një skenar korean: “Një luftë e ngrirë ndoshta për 70-80 vjet”. Sipas ekspertit, Vladimir Putin nuk donte të pushtonte gjithë Ukrainën, donte Donbasin dhe Mariupolin, dhe lidhje tokësore me Krimenë. “Është koha për të qenë realistë. Ukraina nuk ka burra të mjaftueshëm për të rifituar atë që ka humbur. Të rezistosh deri në njeriun e fundit nuk ka kuptim, ashtu siç nuk ka pasur të sulmosh Bakhmutin, siç ka nënvizuar inteligjenca amerikane”, argumenton ai. “Për të sulmuar, raporti nuk duhet të jetë i barabartë, por të paktën 3 kundër një. Realiteti i një lufte është si shtatzënia, përtej një kufiri të caktuar nuk mund të fshihet”, përmbylli agjenti.