Dimitar Kovaçevski dhe e gjithë LSDM-ja me muaj të tërë gënjejnë se ndryshimet kushtetuese janë të mundshme dhe se VMRO ka pranuar ndryshimin e Kushtetutës – konstatojnë përmes një reagimi nga partia opozitare VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti akuzojnë kryeministrin Kovaçevski dhe LSDM-në sepse sipas tyre, për një periudhë të gjatë janë mburrur dhe kanë pretenduar se do të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe se ka shumicë, madje duke thënë se edhe Mickoski është dakord për këto ndryshime. Por sipas VMRO-së, pretendimet e pushtetit u rrëzuan poshtë ditën e kaluar.
“E gjithë LSDM si një pllakë e thyer gramafoni thirreshin të sinkronizuar në ndryshime kushtetuese. Dje i gjithë opinioni maqedonas pa se Kovaçevski dhe LSDM, jo vetëm që nuk kanë shumicën prej 80 deputetësh, por mezi kanë 70. E vërteta doli në shesh. LSDM-ja po humb deputetë. Të gjitha gënjeshtrat e qeverisë kanë shpërthyer”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti thonë se qëndrimi i Mickoskit është i pandryshuar se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë. /koha.mk