Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, me rastin e 77-vjetorit të lindjes.
Urimin, Rama e postoi në rrjetet sociale përmes një fotoje me ish-presidentin Clinton duke mbajtur në dorë bluzën e kombëtares shqiptare.
“Gëzuar ditëlindjen, zoti President,” shkroi Rama në Instagram, të bashkëngjitur edhe flamujt e Shqipërisë dhe Amerikës.
Ish-presidenti Clinton vizitoi Tiranën më 3 korrik, ku iu akordua edhe titulli “Ylli i Mirënjohjes Publike”, një nga nderimet më të larta që kryeministri shqiptar mund t’i japë personaliteteve të shquar.
“Z. President, ju njeri i shpresës, keni qenë me ne përmes fjalëve dhe veprave tuaja. Ju sot jeni me ne për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët, për të konfimuar angazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë,” u shpreh atëherë kryeministri Rama në arsyetimin për kontributin e tij ndaj popullit shqiptar.
Clinton u largua ditën tjetër nga Shqipëria duke lënë pas një mesazh që e bëri publik vetë kryeministri Rama: “Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do desha të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju-Jorkut është West Albania.”
Për shqiptarët, Bill Clinton mbahet mend se miratoi dhe realizoi vendimet e OKB-së për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që të ndalej gjenocidi i saj në Kosovë.
Demokrati 77-vjeçar shërbeu si Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.