Shkup, 19 gusht – Qytetarët nuk duhet të besojnë në gjithçka që u servohet në sferën mediatike, madje ata duhet të reagojnë në dezinformatat, të cilat shpërndahen nga media të caktuara, vlerëson profesori universitar, Sefer Tahiri.
Sipas tij vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të kemi raportim më objektiv dhe më të balancuar, i cili do të respekton standardet profesionale dhe normat etike.
“Është koha e fundit që edhe publiku të përfshihet në këtë proces sepse në demokratizimin e shoqërisë dhe në krijimin e një shoqërie më të mirë, natyrisht në arritjen e një pike kur mediat do të jenë më të përgjegjshme, më të ndërgjegjshme dhe më të besueshme nënkupton që edhe publiku të përfshihet në mënyrë aktive, ndonjëherë edhe në mënyrë reaktive, të reagojë ndaj dezinformatave në rrjetet sociale ose portale” – tha Profesori universitar, Sefer Tahiri.
Të sanksionohen shpifja dhe gjuha e urrejtjes
Sipas Tahirit edhe pse ekzistojnë ligjet përkatëse për shpifje dhe për gjuhë të urrejtjes, të cilat e sanksionojnë punën e portaleve, ata nuk po zbatohen në praktikë, si pasojë e mos-funksionimit të institucioneve.
“Fatkeqësisht problem qëndron tek mos-funksionimi i institucioneve, përkatësisht mos-funksionimi i Prokurorisë Publike e cila është e njoftuar, merr informacione të ndryshme për përdorimin e gjuhës së urrejtjes nëpër media, nga gazetarë, aktivist të ndryshëm, të vet-quajtur gazetarë, të vet quajtur publicist, por fatkeqësisht ky institucion është treguar shumë neglizhent” – deklaroi Tahiri.
Ligji për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe fyerje, parashikon që, para se të ngrihet padi fillimisht të kërkohet falje dhe tërheqje publike të deklaratës nga personi që ka bërë fyerjen.
Çështja kyçe e ligjit është ulja drastike e gjobave për punonjësit mediatik për dëmin e shkaktuar me fyerjen ose shpifjen. Gjuha e urrejtjes është inkriminuar nën kushte specifike në nenin 417, paragrafi 3, në përputhje me të cilin thuhet se ai që propagandon urrejtje racore apo nxit diskriminim racor, do të dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Nga ana tjetër një dispozitë e cila e inkriminon gjuhën e urrejtjes nëpërmjet sistemit kompjuterik gjendet në nenin 394, ku dhe thuhet se ai i cili nëpërmjet sistemit kompjuterik shpërhap në opinion material racist dhe ksenofobik të shkruar, fotografi apo prezantime të tjera të cilat nxisin urrejtje, diskriminim apo dhunë, kundër cilitdo personi apo grupi, në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes nacionale apo etnike, si dhe besimit fetar, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Vepra penale e gjuhës së urrejtjes mund të paraqitet në Ministrinë e Punëve të Brendshme ose mund të dorëzohet fletëparaqitje penale në prokuroritë kompetente publike themelore. (TVM2)