Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se reagimet në Maqedoninë e Veriut për ngjarjet e tubimeve në Çair dhe Tetovë, gjatë vizitës së kryeministrit Albin Kurti, të premten e kaluar, janë rezultat i keqkuptimeve, për të cilat ajo shprehu bindjen se dy shtetet fqinjë së shpejti do t’i tejkalojnë. Osmani sa i përket shfaqjes së flamurit të “Shqipërisë Etnike”, tha se në tubime askush nga organizatorët nuk e kontrollon çdo qytetarë se çfarë ka në duar. Ajo tha se këtë veprim e sheh si “lëvizje e një qytetari dhe jo si diçka të organizuar”. Ajo tha se ka pasur një vizitë të shkëlqyeshme në Maqedoninë e Veriut, për të cilën e falënderoi presidentin Pendarovski për pritjen. Në fund, Osmani tha se prioritet mbi prioritetet duhet të mbetet përmirësimi i relacioneve Kosovë-Maqedoni e Veriut, ku nuk ka pasur ndonjëherë keqkuptime as në të kaluarën.
