Revista pretigjioze gjermane “Der Spiegel”, shkruan mbi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht mbi rolin destruktriv të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare po tregohet tepër tolerante.
Aty thuhet se presidenti serb krijon përshtypjen sikur askush në vendin e tij dhe në rajon nuk po ia vlerëson angazhimin e tij në drejtim të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Përëndimor, ndërse në mënyrë ironizuese shkruan: “Ai është një burrë shteti i madh, pa dyshim. Presidenti i Serbisë është gati dy metra i gjatë”.
Një ndër gazetat më të respektuara gjermane arrin në përfundimin se presidenti serb i posedon të gjitha atributen për të qenë zjarrvënësi i rajonit dhe për këtë bëhet i vetëdijshëm kush kupton serbisht dhe kush e përcjell fushatën propagandistike të mediave pro-regjimit atje.
Gazetari gjerman Walter Mayr në artikullin e tij gjithashtu kujton sekuencat televizive të fytyrave të egërsuara, të gurëve dhe bombave djegëse mbi paqeruajtësit e NATO-s (KFOR) gjatë protestave të dhunshme në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – më 29 maj.
“Në përgjithësi, gjërat në rajon kohët e fundit kanë dalë jashtë kontrollit. Në fund të majit, dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it janë paaftësuar në Kosovë nga pjesëtarët e pakicës serbe që ishin besnikë ndaj Vuçiçit”, shkruan revista e njohur gjermane.
Në artikull ndër të tjera thuhet se marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan revista gjermane, mbeten të dëshirueshme, ndërsa ato me Kinën dhe Rusinë mirëmbahen dhe kultivohen. Aty përmendet edhe kryespiuni serb, Aleksandër Vulin, tashmë nën sanksionet e SHBA-ve.
Ai njihet për deklaratat e tij etno-nacionaliste dhe irredentiste rreth të të ashtuquajturës “bota serbe”, të inspiruar nga “bota ruse” e Putinit, ndërsa thuhet se kryespiuni serb funksionon në elaborimin e ideve të sferës private të mendimeve dhe aspiratave të Vuçiç-it.
“Vulini konsiderohet zëdhënësi i Vuçiçit dhe gardiani i konceptit të ‘botës serbe’ […] Vulini e thotë atë që vetë kreu i shtetit nuk mund ta thotë hapur: se kërkohet integrimi i të gjithë bashkatdhetarëve serbë në të dy anët e kufijve shtetërorë”, shkruan tutje revista gjermane.
E revista gjermane nuk e lë pa e kritikuar edhe Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili, derisa Vuçiçi pretendonte se populli serb në Kosovë i është nënshtruar “përndjekjes më të tmerrshme” në 15 vitet e fundit, ai s’e kundërshtoi, por lavdëroi “bisedën e sinqertë dhe të hapur” me presidentin serb./ Albanianpost
