Në Maqedoninë e Veriut, ka më shumë të dënuar që janë jashtë burgjeve se sa ata që ndodhen prapa grilave. Bazuar në të dhënat nga drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve, kanë arritur rreth 2800 vendime të qytetarëve që duhet të vuajnë dënim burgu, por për vepra të lehta penale. Në këtë kohë, në burgjet e Maqedonisë janë të burgosur 2115 persona, ndërsa rreth 300 persona ndodhen në paraburgim.
“Për momentin në burgjet e Maqedonisë së Veriut janë gjithsej 2115 të dënuar dhe 296 të paraburgosur që vuajnë dënimin me burgim. Deri më tani në Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve kanë mbërritur 2798 akte referimi, të cilat janë ende të pazbatuara”, thonë nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.
Nga ana tjetër, ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, ka dorëzuar një propozim ligji te partitë politike, me të cilin propozoi një ligj për amnistinë, të ngjashëm me atë të vitit 2018. Sipas Llogës, qëllimi i këtij ligji është të ofrojë amnistinë për të dënuarit me vepra të lehta penale, me synimin që të krijojë kushte të mira për të burgosurit në burgje.
“Ideja e ligjit për amnisti vjen sepse një pjesë e burgjeve janë të mbingarkuara, nuk ofrohet ai shërbim që është dhe vetë ekzistenca e burgut që është risocializimi i atyre qytetarëve që u është privuar liria. Tash ne po tentojmë bashkë me të gjitha partitë parlamentare ta rikthejmë në procedurë para shumë të njëjtin ligj që është miratuar në vitin 2018 dhe me këtë kryesistë e veprave penale të lehta do të mund të dalin në liri edhe me çka do të mund të vendosen në funksion burgjet apo entet korrektuese në vend ”, theksoi Krenar LLoga –Ministër i Drejtësisë .
Në raportin e fundit të departamentit të shtetit Amerikan thuhet se Maqedonia e Veriu ka kushte çnjerëzore në burgje, ku sipas Departamentit të Shtetit pamundësojnë që jo vetëm të mos arrihet qëllimi kryesor i burgut, që është rehabilitimi, por përkundrazi, ekziston rreziku që të burgosurit të dalin që aty me prirje edhe më të mëdha kriminale./Tv21