Shkup, 30 korrik – Raporti i fundit i agjencisë “Standard and Poors” vlerëson se ekonomia e vendit do të stabilizohet në një periudhë afatmesme, dhe që për këtë shtysë të konsiderueshme do t’i jepet nga konsumi, investimet private dhe ato kapitale, ndërsa progresi në integrimin në BE do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve strukturore dhe institucionale, si dhe do të ketë një ndikim shtesë në perspektivat ekonomike.
Në raport thuhet gjithashtu se vendi do të vazhdojë me konsolidimin fiskal, uljen e inflacionit dhe mbrojtjen e stabilitetit financiar, kurse reformat strukturore dhe borxhi do të mbahen në nivele të qëndrueshme. Vendi siç bëjnë me dije nga Ministria e Financave që nga viti 2013 ka pasur një vlerësim të qëndrueshëm. “Nga Agjencia theksojnë se është e nevojshme të vazhdohet me përpjekjet për reforma strukturore, forcimin e kapaciteteve institucionale duke konsoliduar njëkohësisht politika fiskale të qëndrueshme të cilat mund të kontribuojnë në rritjen e vlerësimit. Kriza e vitit 2023 do të ketë ndikim edhe më tej por pritet që deficiti buxhetor të jetë më i ulët se në vitin 2022 në një nivel prej 4.4% e që është për 4.6 më i ulët se parashikimet e qeverisë. Ligji i miratuar i buxhetit sipas agjencisë do të ndihmojë në përshpejtimin e konsolidimit fiskal. Nga ana tjetër, Qeveria është e fokusuar në uljen e kostove ndërsa reforma tatimore pritet që të rrisë të ardhurat. Borxhi shtetëror pritet që të stabilizohet në një periudhë afatmesme”, njoftojnë nga Ministria e Financave.
Në raport thuhet edhe se qeveria është e përkushtuar të ruajë atraktivitetin e vendin për investime direkte të huaja. “Vlerësimi i kredisë tregon shkallën e rrezikut të investimit në të dhe është një nga treguesit themelor që investitorët potencial marrin parasysh kur marrin vendimet e tyre”, thonë nga Ministria e Financave. Më parë, vendi mori një konfirmim edhe nga Agjencia “Fitch” e cila rishikoi perspektivën e vlerësimit të kredisë së vendit nga negative në të qëndrueshme. (koha.mk)
