Nga ana tjetër, Adem Sopa, kryetar i parlamentit studentor në Universitetin e Evropës Jug-lindore (UEJL), tha për KOHA se ata si parlament studentor kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me MASH dhe si kryetar i studentëve është i kënaqur me marrëveshjen e arritur
Anëmsha SHABANI
Shkup, 28 korrik – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka lidhur marrëveshje me “Shparkase Bank” Shkup për të ofruar një kartelë pagesore të dedikuar për subvencionin ushqimor të studentëve për studentët për vitin e ri akademik.”Kjo është zgjidhja sistematike me të cilën studentët tanë, ashtu si kolegët e tyre evropianë, marrin mbështetje financiare vetëm për qëllimin për të cilin janë ndarë nga buxheti MASH-it për t’i ndihmuar ata të ofrojnë një vakt të shëndetshëm”, tha ministri Jeton Shaqiri në nënshkrimin e protokollit.
Ministria bën me dije se studentët që do të fitojnë të drejtën e subvencionimit racion ushqimor studentor do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje me Bankën “Shparkase” për hapjen e një llogarie të veçantë që do të lidhet me kartën e pagesës së racionit të studentëve. Për hapjen e llogarisë dhe lëshimin dhe mirëmbajtjen e kartës së pagesës, studenti nuk ka nevojë të ketë qenë më parë klient i kësaj banke. Gjithashtu, siç shtohet nga Ministria e Arsimit, studenti nuk do të ketë asnjë kosto lidhur me hapjen e llogarisë dhe lëshimin e kartës së dedikuar të pagesës.
Karta e dedikuar është pjesë e paketës që do të marrë studenti që ka fituar të drejtën e subvencionit ushqimor. Në paketë, siç deklaroi drejtori i Bankës “Shparkase”, Sanel Kusturica, studentët do të marrin dy karta. “Njëra do të jetë për blerjen e një racioni ushqimor, ndërsa tjetra do të jetë një kartel pagesore ‘Vibe’, duke i bërë ata pjesë të Premium Club”, tha Kusturica.
MASH njoftoi se “Shparkase” është përzgjedhur pas përfundimit të thirrjes publike, në përputhje me ndryshimet në Ligjin për subvencionin ushqimor të studentëve.
Ky projekt është mbështetje financiare në shumë prej 140 denarë, e dedikuar për blerje të ushqimit të përgatitur dhe studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqim. Shuma e racionit nga 120 u rrit në 140 denarë me kërkesë të studentëve që në nëntor të vitit të kaluar dolën të protestojnë para Kuvendit. Pas bisedimeve me deputetët u arrit marrëveshje që ushqimi të paguhet në shumën ditore prej 140 denarë nga prilli i vitit 2023, pas së cilës u bisedua për ndryshime në Ligjin për subvencionin ushqimor të studentëve. Prezantimi i një kartë pagese të dedikuar që u propozua në mënyrë që studentët t’i përdorin mjetet ekskluzivisht për atë qëllim, ishte ndër ndryshimet e propozuara të Ligjit.
Nga ana tjetër, Adem Sopa, kryetar i parlamentit studentor në Universitetin e Evropës Jug-lindore (UEJL), tha për KOHA se ata si parlament studentor kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me MASH dhe si kryetar i studentëve është i kënaqur me marrëveshjen e arritur. “Të jesh në lëkurën e një studenti nuk është e lehtë, pasi jeta studentore është një jetë e cila ngelet ne kujtimet e secilit student pavarësisht suksesit të tij/saj. Kur jemi te subvencionimi ushqimor që garantohet nga MASH, ne si Parlament Studentor kemi qenë të zëshëm që kur ishte një propozim vitin e kaluar, që si rezultat i bashkëpunimit tonë arritëm marrëveshje me ministrin e arsimit dhe deputetët propozues të po të njëjtit ligj dhe nga atëherë ne u dakorduam që do të ketë rritje të shumës së subvencionimit. Andaj edhe njëherë komenti im në këtë drejtim është që jemi dakord që të ketë rritje graduale të po të njëjtit çmim pasi që çdo student sa do që të jetë është mirënjohës”, deklaroi Sopa. Sipas të dhënave të MASH-it, për këtë masë çdo vit nga buxheti i Ministrisë ndahen mbi 940 milionë denarë.
Ndryshe, kjo masë është mirëpritur edhe nga ana e unioneve tjera të studentëve, mirëpo ata theksojnë se nga rritja e çmimeve në treg është e nevojshme edhe rritja e subvencionimit të racionit ushqimor. (koha.mk)
