Skandali me Klinikën e Onkologjisë, që e tronditi të gjithë opinionin publik, për kryeministrin Kovaçevski është një rast i shëmtuar në të cilin, siç theksoi, nuk do të kursehet asnjë i përfshirë në të. Ai tha se pret që të bëhet një hetim profesional dhe i shpejtë, që do t’i identifikojë autorët. Ai gjithashtu kërkoi që ky rast të mos përdoret për qëllime politike.
“Ky është krim multipartiak, multietnik që duhet të zbardhet. Fakti që qytetarët po protestojnë, e kuptoj shqetësimin dhe zemërimin e tyre. Dhe e drejta për të protestuar në raste të tilla është e mirëseardhur, sepse u bën presion shtesë institucioneve që ta kryejnë punën më shpejt. Por edhe një herë kërkoj që çështja të mos politizohet”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kovaçevski shtoi se nuk do të lejojë asnjë ndikim politik në këtë rast.
“Askush nuk duhet të ushtrojë asnjë ndikim apo presion në këtë rast. Nuk do të lejohet asnjë presion, as politik, as etnik, as ndonjë tjetër. Pa mare parasysh nëse të përfshirët janë anëtarë të LSDM-së apo VMRO-së apo BDI-së , ai që ka gabuar do të duhet të përgjigjet”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
E kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se është i tmerruar nga ajo që ka ndodhur, por edhe për këtë rast ka kërkuar dorëheqje të Qeverisë dhe zgjedhje të shpejta të parakohshme.
“Jemi dëshmitarë të një shoqate kriminale-monstruoze-mafioze të disa personave mjekësor të afërm me partitë në pushtet. Ajo që është e tmerrshme, për të përfituar. Prandaj duhet përgjegjësi, jo vetëm kriminale, por edhe politike, prandaj nëse ka sadopak humanizëm te njerëzit në Qeveri, duhet menjëherë të dorëzojnë dorëheqjen e parevokueshme dhe të shkojmë para qytetarëve në zgjedhje të shpejta parlamentare”, deklaroi Hristijan Mickoski kryetar i VMRO-DPMNE.
E për këtë skandal ku janë kryer krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve ka reaguar edhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili kërkoi përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike. Sipas reagimit të presidentit Pendarovski, informacionet për keqpërdorimin e dyshuar të terapisë për personat që vuajnë nga kanceri janë tronditëse dhe të tmerrshme.
/tv21
