Deputeti i pavarur, Skender Rexhepi-Zejdi në fjalimin e tij të sotëm gjatë debatit për miratimin e nevojës për ndryshimet kushtetuese foli për rrezikun e përhapjes së nacionalizmit në vend, në rast se nuk votohen ndryshimet kushtetuese, shkruan TV21. Rexhepi thotë se në kampin politik shqiptar mund të krijohet parti nacionaliste, e cila do të shkaktonte probleme shtesë në përplasje me partitë nacionaliste maqedonase.
Ky nacionalizëm i disa individëve, do të ketë pasoja e veta edhe tek elektorati shqiptar, në mënyrë të drejtë, autonome, shumë shpejt mund të ndodhë që të nis një lëvizje , një subjekt, një ide e cila do të jetë po ashtu me frymë nacionaliste dhe e cila kur të sillen këto dy antagonist, mund ta imagjinojmë çfarë pasoja i djell Maqedonisë së Veriut”, tha Rexhepi.
Zejdi tha se shqiptarët në Maqedoni dhe jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut nuk e kanë kontestuar asnjëherë identitetin maqedonas, po që sipas tij nëse shqiptarëve të Maqedonisë i pengohet rruga drejt BE-së, të njëjtit të nxitur nga nacionalizmi, mund të kërkojnë që të ndahen nga komunat maqedonase në rrugëtimin evropian.
“Mund të vije që në të ardhmen e afërt, të ndodhin kërkesa tjera ku shqiptarët apo komunat shqiptare, të nxitur nga një nacionalizëm i tillë, të kërkojnë rrugëtim drejt BE-së, ndaras nga komunat maqedonase”, deklaroi Zejdi./tv21.tv