Rusia raportoi se ka rrëzuar rreth 60 dronë e disa raketa mbi territorin e shtetit rus ndërsa Ukraina u shpreh se ka shkatërruar më shumë se 30 dronë rusë. Të paktën katër persona janë raportuar të vrarë, si pasojë e një sulmi të trupave ushtarake ruse në lagjet e Harkivit, ditën e sotme. Kjo në kohën kur Rusia çon përpara ofensivën në verilindje të Ukrainës.
Mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 57 dronë ukrainas mbi rajonin jugor Krasnodar përgjatë natës, siç ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes.
Zyrtarë lokalë ushtarakë vunë në dukje se disa dronë janë rrëzuar në një rafineri të naftës në qytezën Slavjansk-on-Kuban, por nuk është raportuar për dëme. Po ashtu, u tha se tre dronë të tjerë janë rrëzuar në rajon rus Belgorod e që gjendet në kufi me Ukrainën.
Në Ukrainë, zyrtarë të forcës ajrore kanë raportuar se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 37 dronë rusë të hedhur kundër shtetit përgjatë orëve të natës.
Në rajonin verilindor të Harkivit, aty ku Moska zyrtare ka nisur ofensivën e re, guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov, njoftoi edhe se një person gjeti vdekjen e 11 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të një dite më parë.
Më vonë gjatë ditës së sotme, Syniehubov informoi se katër persona të tjerë janë vrarë e tetë mbetën të plagosur, si pasojë e sulmeve ruse në zonën e Harkivit. Trupat ukrainase janë duke luftuar për të ndaluar avancimet e ushtrisë ruse në rajonin e Harkivit.
Dy ditë më parë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin vuri në dukje se ofensiva e Moskës në rajonin e Harkivit po bëhet me qëllim krijimin e një zone neutrale dhe kërkoi të saktësonte se nuk ekzistojnë plane për të kapur qytetin. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022 e vijon e ashpër prej më shumë se dy vitesh tashmë.
Shefi i Kremlinit, Putin po e quan këtë luftë si një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftimeve kanë humbur jetën me mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.