Fillimisht Siljanovska-Davkova, e tani Hristijan Mickoski shkaktuan reagime në Greqi për mospërdorimin e prapashtesës “e Veriut”. Mediat e fqinjit jugor janë të mbushura me raporte për retorikën e përdorur në Maqedoninë e Veriut. Siç dihet, presidentja e re Siljanovska-Davkova ka refuzuar të përdorë “e Veriut” gjatë betimit në Kuvend, e të njëjtën e paralajmëroi edhe Hristijan Mickoski. Por kryeministri i Greqisë kërcënoi se nëse kjo sjellje e autoriteteve të reja vazhdon, atëherë rruga drejt BE-së do të mbetet e mbyllur.
“Nëse disa mendojnë se nuk do ta respektojnë Marrëveshjen, duhet të dinë dy gjëra: Së pari, se rruga e tyre për në Europë do të mbetet e mbyllur dhe se së dyti, Memorandumet që duhet të ratifikojmë, nuk do të ratifikohen derisa të arrihet respektimi i plotë. Respektimi i plotë nga qeveria e re i asaj që parashikon Marrëveshja”, tha Kriakos Micotakis, kryeministër i Greqisë.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, me shumë gjasa edhe kryeministër i ri, Mickoski, thotë se në vend të urimeve, morën një politikë “muskujsh” nga Greqia.
“Prisja një mesazh urimi nga fqinji ynë jugor, por fatkeqësisht morëm muskuj politik. Nuk pres që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në muskuj politik”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski thotë se Marrëveshja nuk i pëlqen as VMRO-DPMNE-së dhe as Demokracisë së Re, lider i së cilës është Micotakis, por për dallim nga Greqia, ajo është pjesë e institucioneve të Maqedonisë dhe është realitet. Megjithatë, ai shton se personalisht nuk do ta përdorë prapashtesën “e Veriut”.
“Dhe derisa unë bëj deklarata, derisa ju drejtohem juve gazetarëve, dhe pres që kjo të jetë mënyra e sjelljes së Presidentes Siljanovska, të përdorë termat “Maqedoni” dhe mbiemrin “maqedonas”, sepse në këtë mënyrë, sipas interpretimit tonë të Marrëveshjes së Prespës, nuk ka asnjë shkelje të tij”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Për ish-nënkryetarin e LSDM-së dhe ish-deputetin Jani Makraduli, kjo retorikë e Mickoskit është e rrezikshme.
“z.Micotakis thotë e pranova marrëveshjen edhe pse nuk më pëlqejnë zgjidhjet për kombin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, dhe nga ana tjetër VMRO-DPMNE është kundër që dikush ta etablojë kombin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, flas për në dokument, ndryshe këtu nuk kemi dilema, prej vitesh…Prandaj them se retorika është e rrezikshme”, pohoi Jani Makraduli, ish nënkryetar i LSDM-së.
Pas deklaratës solemne të Siljanovska-Davkovës ku nuk e përdori termin “e Veriut”, dhe pas reagimeve nga Greqia, reaguan edhe funksionarë ndërkombëtarë, të cilët thanë se Marrëveshja e Prespës duhet të respektohet.