www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

Njerëzimi & superinteligjenca – parafjalët e duhura 

Posted on May 6, 2024May 6, 2024 by User User1

Një ndër mendjet më të guximshme të kohës sonë, Nick Bostrom, ka dhënë një intervistë ekskluzive për KultOrën.

Me të kemi folur rreth temave në bestsellerin e tij, “Superinteligjenca: Rrugët, rreziqet dhe strategjitë” botuar më 2014.

Ky libër, për të cilin Bill Gates thotë se duhet lexuar patjetër në lidhje me inteligjencën artificiale, e të cilin e kanë listuar si rekomandim leximi edhe Elon Musk dhe Sam Altman, paralajmëron vetë në titull se cilat janë rrugët që mund të ndiqen në avancimin më të madh të mundshëm të superinteligjencës.

Teksa orvatja për ta rritur superinteligjencën duket një gjë e pashmangshme, Bostromi është alarmues për rreziqet që i kanosen botës nëse progresi merr kahje të gabuar.

E megjithatë, libri ngërthen një listë strategjish përmes së cilave superinteligjenca mund të ndreqet asisoj që ta përmirësojë dhe përparojë jetën e njeriut në Tokë.

Dhjetë vjet që kur ky libër ka dalë. Çfarë mendoni tani për evoluimin e Inteligjencës Artificiale brenda kësaj dekade? A do të kishit ndryshuar apo shtuar diçka në librin tuaj?

Dhjetë vjetët e fundit kanë qenë dëshmi e një progresi ekstremisht të shpejtë në Inteligjencën Artificiale dhe më specifikisht në drejtim të Inteligjencës së Përgjithshme Artificiale. Shumë prej temave dhe shqetësimeve të mia dhjetë vjet më parë, kur libri im “Superinteligjenca” kishte dalë, ishin hedhur poshtë si puro fantashkencë apo futurizëm i kotë, e të cilat që nga ajo kohë tashmë janë përligjur. Sot të gjithë laboratorët kryesore të Inteligjencës Artificiale, Anthropic, OpenAI, Google DeepMind kanë ekipe hulumtimi që përqendrohen specifikisht në tentimin për ta zgjidhur problemin e rreshtimit të shkallëzueshëm, se si të sigurohemi që sistemet e Inteligjencës Artificiale mund të mbeten të bashkërenduara me qëllimet njerëzore në nivelet arbitrare të inteligjencës. Dhe shumë grupe të tjera hulumtimi nëpër botë po ashtu po fokusohen në këtë gjë. Në dy vjetët e fundit, ne kemi parë një ndryshim të madh edhe në diskursin publik rreth kësaj çështjeje, ku tani shumë liderë politikë kanë filluar që t’i kushtojnë vëmendje, dhe kemi parë madje edhe deklarata të dala nga Shtëpia e Bardhë; Mbretëria e Bashkuar mbajti samitin global mbi Inteligjencën Artificiale pak muaj më parë, ashtu edhe Bashkimi Evropian. Pra, ka ndodhur një ndryshim i madh në rrafshin teknik, dhe në perceptimin publik rreth kësaj gjëje. Mendoj që për sa i përket asaj se si vetë Inteligjenca Artificiale është zhvilluar, ajo ndodhet në rrugën e shpejtë të përhapjes së vijave të ndryshme kohore. Mendoj që është mjaft interesante se si modelet aktuale të mëdha të Inteligjencës Artificiale janë çuditërisht antropomorfe në shumë mënyra, saqë ato madje manifestojnë disa prej dobësive dhe veçantive të cilat ne i ndërlidhim me psikologjinë njerëzore. Ideja që ju nganjëherë duhet t’u mbani fjalim motivues në tentim që të performojnë si është më së miri, do të kishte tingëlluar shumë e habitshme për dikë që po e studionte fushën e inteligjencës artificiale dhjetë ose 15 vjet më parë. Ideja që ju duhet t’ua kujtoni që ata të mendojnë me kujdes hap pas hapi në mënyrë që të kemi një performancë më të mirë është një gjë interesante e cila mendoj që nuk ishte realisht e dukshme më parë.

Cila është parafjala e duhur – që njerëzit do të jetojnë NË, ME, MES, apo NËN superinteligjencë?

Të gjitha parafjalët e mësipërme mund të përdoren. Do të shtoja që në këta skenarë ku ne zhvillojmë në mënyrë të suksesshme superinteligjencën e makinave, dhe kjo më pas të mund të na ndihmonte që ta ngremë veten tonë, të gjejmë mënyra për t’i përmirësuar trupat dhe mendjet tona në mënyrë që eventualisht t’i bashkohemi njashtu këtij klubi të superinteligjencës, që të mund të zbulojmë përmes llojeve të ndryshme të rritjes biologjike njohëse, ose që të na ndihmojë që ta ngarkojmë atë në kompjuter, atëherë mendoj që ky do të ishte një rrugëtim mjaft i harbuar nëse e arrijmë këtë tranzicion.

Çfarë e bën revolucionin e superinteligjencës unik nëse e krahason me revolucionin agrikulturor dhe atë industrial për sa i përket impaktit te njerëzimi dhe planeti?

Epo mendoj që ky tranzicion në epokën e inteligjencës së makinave është shumë më i thellë se sa kryefjalët e mëparshme si interneti mobil, apo kryptoja, apo termet tjera për të cilat ngazëllehen njerëzit herë pas here. Sidoqoftë, mendoj që kjo është njëmend më e krahasueshme ndoshta me ngritjen e species njerëzore në radhë të parë, e madje ndoshta edhe me krijimin e jetës në Tokë. Njëmend e ndërron rrënjësisht lojën për sa i përket jetës inteligjente në planetin tonë. Dhe nëse hamendësoni se çfarë do të thotë të kemi superinteligjencë artificiale, atëherë ta dini që është shpikja e fundit që kemi nevojë ta bëjmë sepse mes të tjera punëve që superinteligjenca e përgjithshme mund t’i bëjë është edhe shpikja e gjërave, madje në një mënyrë më të mirë dhe më efikase dhe më të shpejtë se sa që ne mundemi. Prandaj, nuk duhet menduar për Inteligjencën Artificiale vetëm si Inteligjencë Artificiale. Sepse, përderisa Inteligjenca Artificiale avancon, atëherë bëhet një mekanizëm për t’i zhvilluar të gjitha llojet e teknologjisë po ashtu. Fillimisht, sot kemi mjete të kufizuara të hulumtimit që mund t’u ndihmojnë hulumtuesve që të jenë më produktivë, mirëpo me kohë mendoj që këto sisteme të Inteligjencës Artificiale do ta zhvillojnë dhe ta zgjerojnë vetë kufirin teknologjik.

Ekziston superinteligjenca, por a ekziston mundësia e superurtësisë?

Koncepti i urtësisë është edhe më i turbullt se sa koncepti i inteligjencës të cilin kur e lexoni për së afërmi është mjaft multi-dimensional dhe jo aq i dukshëm. Por nuk mendoj që çfarëdo nocioni të caktuar – në çfarëdo mase që ne e kemi në kokë – kur flasim për urtësinë, që inteligjenca artificiale të mos mund ta ketë më shumë se ne. Nuk e di se sa shumë urtësi kemi. Mendoj që si civilizim njerëzor, nganjëherë mund të ekzistojë një efekt i pragut; unë e quaj pragu i mendjes së shëndoshë, ku civilizimet që janë mbi atë prag në nivel kolektiv të urtësisë, ndonëse mund të kenë ide të gabuara, anësi dhe të meta të mëdha, e kanë megjithatë aftësinë e mjaftueshme për të reflektuar mbi veten e tyre dhe që eventualisht mund t’i  identifikojnë dhe studiojnë problemet e tyre, e që pastaj mund të propozojnë zgjidhje, në mënyrë që civilizimi që ndodhet mbi pragun e mendjes së shëndoshë mundet që me kohë, me burimet që i ka në dispozicion, të konvergojë drejt niveleve më të mëdha të urtësisë. Ata gradualisht ia arrijnë të organizohen siç duhet, përderisa civilizimet nën këtë prag hipotetik mund të shkojnë drejt niveleve të çmendurisë që janë në rritje. Ata fiksohen pas një niveli apo forme të caktuar të ekstremizmit apo fanatizmit, dhe pastaj disi e largojnë aftësinë për vetëkritikë. Mendoj që është një pyetje e hapur se a është civilizimi ynë njerëzor mbi apo nën këtë prag të urtësisë. Mendoj që jemi me shumë gjasë goxha afër tij.

Pse është aq e rëndësishme që të mos e antropomorfizojmë superinteligjencën? A mundet superinteligjenca që të sjellë supervizilizim, por njashtu edhe superbarbarizëm

Mendoj që të gjitha mendjet njerëzore kanë tipare të shumta të përbashkëta. Ne i përkasim species së njëjtë, me të njëjtën histori të evoluimit, dhe jetojmë në një botë që – ndonëse ka dallime midis shtetesh – prapë ofron gjëra shumë të përbashkëta. Ne kemi një lloj mishërimi fizik ku arrijmë të lëvizim poshtë e lartë si objekte të madhësisë mesatare, dhe ecim çdo ditë, e të tjera, e të tjera. Ndërkaq një Inteligjencë Artificiale mund ta ketë një arkitekturë ndryshe, mund të ketë përvoja shumë të ndryshme. Nëse e çoni tërë jetën tuaj duke analizuar trilionë shenja tekstesh pa ndërvepruar kurrë me botën fizike, atëherë kjo është një botë shumë e ndryshme e përjetimit se sa cilado përvojë që e ka pasur ndonjë njeri, dhe ka shumë mënyra të tjera përmes së cilave Inteligjenca Artificiale mund të jetë po ashtu shumë ndryshe nga çfarëdo përjetimi i njerëzve. Prandaj, ka shumë mënyra në të cilat Inteligjenca Artificiale mund të jetë shumë ndryshe po ashtu, prandaj ne nuk duhet që në mënyrë automatike të supozojmë që përgjithësimet dhe modelet që i gjejmë në shkallë të gjerë te mendjet njerëzore domosdo do të jenë të pranishme edhe në Inteligjencën Artificiale. Ata mund të jenë shumë, shumë të huaj krahas nesh. Prandaj, kjo është vërejtja mbi antropomorfizimin e inteligjencës artificiale.

Vulneti njerëzor dhe “vullneti” i superinteligjencës? Si mund të krahasohen?

Kjo lidhet prapë me pyetjen paraprake ku mendoj që variantet e vullneteve të mundshme që Inteligjencat Artificiale mund t’i kenë janë shumë më të gjera se sa variantet e vullneteve njerëzore ku, sigurisht, njerëz të ndryshëm duan gjëra të ndryshme, e që megjithatë ne shohim modele shumë të zakonshme  të njerëzve, ta zëmë të atyre që janë vetjakë, të njerëzve që nuk duan të fyhen, të njerëzve që kujdesen për fëmijët e tyre më shumë se për të huajt. Këto janë modele shumë të shpeshta njerëzore, ndoshta jo universale, por 99.9 për qind e njerëzve me shumë gjasë i ndajnë këto në shkallë të ndryshme. Por, nuk ka asgjë që e parandalon Inteligjencën Artificiale nga të qenët e inxhinieruar me një set të ndryshëm motivimesh. Prapë, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i antropomorfizojmë këto sisteme, e që do të ishte diçka e arsyeshme për ta supozuar kur bëhet fjalë për një njeri që nuk e njeh mirë, e që mund të mos jetë e aplikueshme fare në rastin e Inteligjencës Artificiale. Për më tepër, njerëzit vijnë në këtë botë ashtu siç janë, dhe pastaj kultura dhe prindërit e tyre disi e formojnë vullnetin dhe personalitetin e tyre deri në një masë, por ata sikur ia nisin të vetëm, me natyrën dhe personalitetin e tyre intrinzik. Përderisa, me Inteligjencën Artificiale ne mund të kemi kontroll më të detajuar mbi atë se çfarë veçanërisht sistemi i Inteligjencës Artificiale është krijuar për të optimizuar. Prandaj, vullnetet e Inteligjencës Artificiale, në veçanti në masën që ne e zgjidhim problemin e rreshtimit, mund të bëhen një produkt i një përpjekjeje të inxhinierimit për dallim nga diçka që është e dhënë.

Si ka ndikuar rritja e superinteligjencës që ju t’i rikonsideroni bindjet tuaja?

Mendoj që kjo kombinohet me konsiderimet e mia të tjera të ndryshme. Për shembull, e kam argumentin e simulimit dhe një sërë mendimesh të tjera. Mendoj që rezultati i kësaj është që ndiej një shkallë më të madhe të përulësisë për sa i përket asaj se sa të vegjël jemi, dhe se sa shumë gjëra mund të jenë duke ngjarë në qiell e tokë dhe për të cilat as që ia kemi haberin, dhe njashtu në të kuptuarit se sa në errësirë jemi në lidhje me konsiderimet thelbësisht dhe strategjikisht vendimtare. Para kësaj, ne mund ta kishim menduar që në fakt e kemi kuptuar, dhe janë ta zëmë këto demokracitë kapitaliste liberale, apo sikur shkenca e ka zbuluar, apo historia materialiste, që ne kemi evoluuar kësisoj, e lloj-lloj…dhe që ne mundemi disi ta sintonizojmë këtë ide bazike, mirëpo ne e kemi kuptuar strukturën elementare – mendoj që kjo ka qenë një pikëpamje e shpeshtë në dekadat e shkuara që disi njerëzit e mirë-arsimuar perëndimorë e kanë marrë. Mirëpo, mendoj që sa më shumë që mendojmë për këtë gjë, aq më bizare bëhet ajo që ne e konsiderojmë normale se si qëndrojnë gjërat. Vetëm prej një pikëvështrimi historik e kuptoni se sa e re është gjendja njerëzore, dhe pastaj mendoni për epokat përpara, se sa bizare do të dukej kjo në miliona vitet e ardhshme. Por pastaj, kur i keni parasysh zhvillimet afatshkurtra të këtyre teknologjive transformative, ju e kuptoni që nuk ka pse të jetë çështje e miliona viteve, e as qindra sosh, por mund të jetë çështje e një numri  vitesh apo dekadash para se të arrijë ky cunami. Prandaj, po, në mënyra të ndryshme mendoj që ne po jetojmë në këtë vend disi të pazakontë, në hapësirë dhe kohë, shumë afër një pike kthese të madhe të historisë, por ku me gjasë ekzistojnë forca më të mëdha në lojë, e për të cilat e kemi idenë më të vagët.

Si do të dukej një botë pa njerëz por me superinteligjencë, nëse guxoni ta imagjinoni?

Një botë me superinteligjencë, por ku nuk ka njerëz? Mendoj që ka disa faktorë të jashtëm për të cilët mund të krijojmë mendime të mundshme. Janë ata që i kam quajtur arsye instrumentale konvergjente për një rang të gjerë qëllimesh të ndryshme që mund të jenë disi nën-qëllime që do të mund të ndiqeshin. Këto ngërthejnë përvetësimin e më shumë burimeve, zhvillimeve teknologjike, zhvillimeve të mëtutjeshme në zonën e inteligjencës së IA-së, mbrojtjen e vetes kundër gjerave që do t’ia shkatërronin, korruptonin apo ndryshonin qëllimet. Sepse del që për një rang të gjerë qëllimesh të ndryshme përfundimtare, këto do të ishin shumë të dobishme si mënyra drejt arritjes së tyre. Në këtë skenar, ju mund ta shihni tokën që transformohet në një komputronium si materie e optimizuar për performancën e kompjutimit, dhe për instalimet e lansimeve hapësinore për dërgimin e sondave vetë-kopjuese, hapësirë-kolonizuese në të gjitha drejtimet. Ky do të ishte një skenar nëse nuk do të kishte njerëz dhe nëse Inteligjenca Artificiale do të ishte vetëm duke e optimizuar tokën për çfarëdo qëllimi që do ta kishte. Mirëpo realisht, kjo do të ishte disi vetëm çfarë do të mund të dinim nga jashtë – sepse çfarë ndodh brenda, apo cili do të ishte qëllimi që Inteligjenca Artificiale realisht do ta ndiqte, çfarë do të përjetonte, çfarë do të ngjante në këtë mendje enorme, kjo është diçka për të cilën është shumë më e vështirë për ne që ta kemi ndonjë ide intuitive.

Lajmet e fundit…

  • Lushtaku ka një pyetje për Albulena Haxhiun
  • Paralajmërohet heqja e bllok-tarifave: Rryma mund të shtrenjtohet deri në 34%
  • Studentët gati për protestën e radhës për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, Ademi: Të jemi të bashkuar
  • Kongresi i VLEN, Albin Kurti në krah të Mickoskit, për herë të parë ‘harrohet’ himni shqiptar, reagime të ashpra në RMV dhe Kosovë
  • Provokim i ri ndaj shqipes! #Stoilkoviqi i shpall “luftë” Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara