VMRO duket se ka punuar një kohë të gjatë dhe ka zgjedhur me kujdes partnerët e saj të ardhshëm potencialë. Së pari duke e ndihmuar Arben Taravarin të fitojë zgjedhjet lokale në Gostivar, dhe njëkohësisht duke mos i dhënë votat e saj Ziadin Selës nga e njëjta parti opozitare (Aleanca për Shqiptarët) në Strugë, edhe pse kishte një marrëveshje mes partive për tu ndihmuar në zgjedhjet lokale. Ky veprim u bë me qëllimin për të dëmtuar figurën e Ziadin Selës si një nacionalist i fortë shqiptar, dhe për të ngritur në plan të parë Arben Taravarin, i cili nuk është aq këmbëngulës sa Sela. Kjo manovër rezultoi të jetë e suksesshme, pasi Taravari e zëvendësoi Ziadin Selën si president i partisë Aleanca për Shqiptarët pas zgjedhjeve lokale.
Megjithatë, lidhjet midis VMRO dhe liderëve të Aleancës për Shqiptarët, si Arben Taravari dhe Azir Aliu, duket se janë më të thella se kaq. Azir Aliu nga Gostivari, i cili u katapultua në parti si shok i afërt i Taravarit, ka qenë këshilltar i vetëm shqiptar i ish-kryeministrit nga VMRO, Nikola Gruevski, i njohur për nacionalizmin e tij të ashpër dhe dëmin e madh ndaj shqiptarëve. Ai aty u zgjodh pa propozimin e asnjë partie shqiptare. Gjatë asaj kohe, edhe Hristijan Mickovski ishte këshilltar energjetik i Nikola Gruevskit, dhe duket se nga atëherë kanë ndërtuar lidhje të ngushta me Azir Aliun.
Një tjetër fakt që dëshmon lidhjet e thella të Taravarit dhe Azir Aliut me VMRO është kur Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, zgjodhi të bashkohej me qeverinë e udhëhequr nga LDSM, VMRO u skandalizua dhe madje publikoi një skandal korruptiv për Taravarin, ku pothuajse iu kishte “dhuruar” Taravarit një shtëpi në një lagje elitare në qendër të Shkupit, me vlerë prej gjysmë milion euro. Duket se për të qetësuar VMRO-n dhe për të siguruar ata se aleanca e tyre është ende gjallë, Arbeni emëroi Azir Aliun papritur si ministër në këtë qeveri, duke qenë një lojtar që i lidh ata së bashku.
