Trajneri i kombëtarës së Zambisë, Bruce Mvape është vënë nën hetim nga FIFA, në lidhje me mundësinë e abuzimit seksual ndaj lojtareve të kombëtares që ai drejton. Denoncimi për trajnerin është bërë nga një person ende anonim.
FIFA ka vënë në shënjestër disa sjellje aspak të hijshme të trajnerit gjatë stërvitjes së kryer më 28 korrik, para ndeshjes që Zambia luajti ndaj Kosta Rika. Një denoncim, ku thuhet se Mvape preku gjoksin e një lojtareje, bëri që FIFA të nisë hetimin. Ky gjest është parë nga disa lojtare të tjera të kombëtares afrikane.
Lajmi u bë publik vetëm sot, ndonëse ka disa ditë që ka nisur hetimi, por që është mbajtur i fshehtë për të mos shpërqendruar skuadrën. Gjithsesi, Zambia është eliminuar nga Botërori, por trajneri, pavarësisht akuzave për abuzim seksual, është rikonfirmuar në detyrë nga Federata e vendit të tij.
Ky vendim i Federatës konsiderohet si kërcënim ndaj lojtareve, me përjashtim nga kombëtarja. Trajneri Mvape e drejton kombëtaren prej vitit 2018 dhe për herë të parë kualifikoi ekipin në një botëror. Ai është akuzuar edhe më herët për veprime të tilla, por çështja u venit pas kualifikimit historik.
“FIFA merr shumë seriozisht çdo lloj akuze apo sjellje të pahijshme. Konfirmojmë se kemi marrë një denoncim që për momentin është nën hetim. Federata i di këto gjëra por ka mbyllur njërin sy,duke shitur suksesin e kualifikimit si një sukses të madh, por pas skenës po ndodhin gjëra të shëmtuara”, thuhet në deklaratën e FIFA./alsat.mk