www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

Netanyahu anulon vizitën e delegacionit izraelit në SHBA

Posted on March 25, 2024March 25, 2024 by User User1


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka anuluar vizitën e planifikuar në Uashington të një delegacioni të nivelit të lartë, në shenjë proteste me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që miratoi një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë.

Rezoluta kaloi me 14 vota për, asnjë kundër, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën që të mos përdornin veton, por abstenuan.

Netanyahu akuzoi SHBA-në se është “tërhequr” nga ajo që ai tha se ishte një “pozicion parimor” duke lejuar miratimin e rezolutës pa vendosur që armëpushimi të jetë i lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Delegacioni izraelit ishte planifikuar që t’iu prezantonte zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë planet e Izraelit për një pushtim të pritshëm tokësor në qytezën Rafah në Gazë, ku më shumë se 1 milion civilë palestinezë janë strehuar nga luftimet në pjesë të tjera të enklavës.

Në të kaluarën, SHBA-ja kishte vendosur veto për rezolutat e paraqitura në Këshillin e Sigurimit që kërkonin armëpushim në Gazë. Por, javën e kaluar Uashingtoni paraqiti vetë një rezolutë që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gazë. Megjithatë, teksti u kundërshtua nga Rusia dhe Kina, që vendosën veto.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.

Para kësaj rezolute, Këshilli i Sigurimit kishte miratuar dy nga tetë rezolutat e paraqitura për luftën Izrael-Hamas. Rezolutat e miratuara kryesisht kishin të bënin me dërgimin e ndihmës humanitare.

Lajmet e fundit…

  • Lushtaku ka një pyetje për Albulena Haxhiun
  • Paralajmërohet heqja e bllok-tarifave: Rryma mund të shtrenjtohet deri në 34%
  • Studentët gati për protestën e radhës për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, Ademi: Të jemi të bashkuar
  • Kongresi i VLEN, Albin Kurti në krah të Mickoskit, për herë të parë ‘harrohet’ himni shqiptar, reagime të ashpra në RMV dhe Kosovë
  • Provokim i ri ndaj shqipes! #Stoilkoviqi i shpall “luftë” Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara