Një anije që do të transportojë ndihma humanitare pritet të lundrojë këtë fundjavë me destinacion Gazën.
Anija spanjolle, Open Arms, është planifikuar të niset nga Qipro, vendi më i afërt i BE-së me Gazën, dhe shpreson të përdorë një rrugë të sapohapur detare.
Pa port funksional dhe ujëra të cekëta, është ende e paqartë se ku do të ankorohet anija kur të arrijë në Gaza.
OKB thotë se një e katërta e popullsisë së Rripit të Gazës është në prag të urisë dhe fëmijët po vdesin nga uria
Anija, që pritet të arrijë në Gaza në ditët në vijim, i përket organizatës bamirëse spanjolle me të njëjtin emër, Open Arms.
Ajo do të tërheqë një maune të ngarkuar me 200 ton ushqim të ofruar nga organizata bamirëse amerikane World Central Kitchen, tha themeluesi i Open Arms Oscar Camps për Associated Press.
Anija pritet të niset nga porti i Larnakës së Qipros këtë fundjavë dhe do të duhen rreth dy deri në tre ditë për të arritur në një vend të pazbuluar në brigjet e Gazës, shtoi Camps.
Ai deklaroi se milja e fundit e udhëtimit, që është rreth 216 milje detare në total, do të ishte “operacioni më i komplikuar”, por shtoi se nuk ishte “i shqetësuar fare për sigurinë”.
Në pikën e destinacionit, një ekip nga Kuzhina Qendrore Botërore ka ndërtuar një skelë për të marrë ndihmat humanitare, tha ai. Grupi ka 60 kuzhina në të gjithë Gazën, ku do të jetë në gjendje të shpërndajë ushqimin.
“Ajo që fillimisht u shfaq si një sfidë e pakapërcyeshme tani është në prag të realizimit”, thuhet në një postim në llogarinë X të Open Arms.
Rimorkiatori ynë është i përgatitur për të nisur në një moment, i ngarkuar me tonelata ushqime, ujë dhe furnizime jetike për civilët palestinezë.
World Central Kitchen tha se ishte përgatitur për udhëtimin për javë të tëra, duke pritur që të hapej rruga e transportit.
Korridori detar u njoftua nga shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të premten, ndërsa ajo ishte në Qipro.
Kjo erdhi një ditë pasi Presidenti Joe Biden njoftoi se SHBA planifikon të ndërtojë një port të përkohshëm lundrues në vijën bregdetare të Gazës.
