www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

Biden dhe Trump fitojnë lehtësisht zgjedhjet paraprake në Miçigan!

Posted on February 28, 2024February 28, 2024 by User User1

Presidenti amerikan, Joe Biden i fitoi lehtësisht zgjedhjet paraprake në Miçigan, por një votë proteste e demokratëve të zemëruar për mbështetjen e tij ndaj luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza, i tejkaloi pritshmëritë e organizatorëve. Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Ndërkaq, ish-presidenti amerikan Donald Trump, i fitoi bindshëm zgjedhjet paraprake republikane në shtetin e Miçiganit, duke i rritur mundësitë për të fituar nominimin e partisë së tij, për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ndonëse pritej që Biden dhe Trump të fitonin lehtësisht në zgjedhjet paraprake në këtë shtet, procesi i numërimit të votave është vëzhguar nga afër, për të parë nivelin e mbështetjes që gëzojnë. Në Miçigan ku gjendet një komunitet i madh arabo-amerikan, votuesve demokratë u është bërë thirrje të plotësojnë fletëvotimet si “të pavendosur”, në shenjë proteste për politikën e Biden-it për Gazën.

Pas pothuajse gjysmës së votave të numëruara, numri i votuesve “të pavendosur”, ka shkuar në mbi 58 mijë, referuar organizatës Edison Research, duke tejkaluar shifrën 10 mijë që prisnin organizatorët e protestës.

Shumë prej pjesëtarëve të komunitetit arabo-amerikan, që e kanë përkrahur Biden-in më 2020-ën, tani janë të zemëruar. Përmes një deklarate, më vonë, Biden u shpreh se falënderon çdo banor të Miçiganit, të cilit i është dëgjuar zëri.

Shfrytëzimi i të drejtës së votës dhe pjesëmarrja në demokraci, është çfarë e bën Amerikën të mrekullueshme.

Sipas Edison Research-it, Biden gëzon 80% mbështetje në Miçigan, ndërsa 13% janë të pavendosur.

Pas 58% të votave të numëruara të republikanëve, Donald Trump gëzon 67% mbështetje në krahasim me rivalen e tij, Nikki Haley, me 27%. Duhet theksuar se shteti i Miçiganit, vazhdimisht e ofron mundësinë e identifikimit të votuesve si “të pavendosur”, për të kuptuar bazën e mbështetjes për një kandidat.

Miçigani pritet të luajë një rol vendimtar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, kohë kur pritet të përballen kokë më kokë Biden dhe Trump, ashtu siç ndodhi në presidencialet e 2020-ës që u fituan nga demokrati Joe Biden.

Lajmet e fundit…

  • Kaltrina Beqiri: Qeverinë teknike e dërgojmë në histori
  • “Prindërit tanë ranë dëshmorë për gjuhën shqipe”, #Organizatori i protestës së studentëve në Shkup: Kanë frikë se ne fitojmë shumë të drejta
  • PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese
  • Provokimi në Shkup, ministri i Mbrojtjes së RMV përulet me ceremoni para pllakës përkujtimore ku shqiptarët etiketohen si terroristë
  • Edhe pse disа banorë të Çairit kanë kërkuar që mos të mbyllet vendkalimi për këmbësorët pranë Bit-Pazarit, Qyteti i Shkupit është i vendosur të vendosë gardh dhe ta mbyll pergjithmonë

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara