“Lëvizja demokratike” u emërua subjekti më i ri politik i themeluar nga Izet Mexhiti, dalë si fraksion nga BDI, e që pritet të zyrtarizohet më 13 gusht. Muhamet Asani thotë se me Lëvizjen Demokratike synohet të hapet një kapitull i ri në politikën e Maqedonisë së Veriut.
“Është paralajmërim serioz për formimin e një partie politike e cila do të jetë faktor mjaft serioz në skenën e Maqedonisë së Verit”, u shpreh Arjanit Hoxha, ish-nënkryetar i L.Besa (27.07.2023).
As me kaq nuk mbaron. Në një deklaratë për TV21 edhe deputeti i pavarur Skënder Rexhepi – Zejdi nuk e përjashtoi mundësinë e formimit të një subjekt të ri politik, që domethënë se ka gjasa të bëhet tetë parti politike.
“Të gjitha opsionet janë në tavolinë, përfshirë bashkëngjiten me ndonjë subjekt politik, apo nismë e re, deri te nisma vetanake apo autoktone e jona personalisht”, pohoi Skender Rexhepi – Zejdi, deputet i pavarur (17.07.2023).
Njohësi i çështjeve politike Xhelal Neziri formimin e shumë partive të reja e sheh si lokalizim të politikës dhe mbyllje e politikave në kuadër te komunave. Vlerëson se kjo është e dëmshme meqë në këtë formë nuk mund të përfaqësohet interesi i qytetarit shqiptar denjësisht në nivel shtetëror.
“Mendoj që është më e udhës që këto parti politike që sot formohen ose edhe ato që do të formohen në të ardhmen, në zgjedhjet e ardhshme të garojnë në jo më shumë se dy koalicione. Pra dy koalicione të mëdha sepse do të formohen në bazë të ideve dhe ideologjive të përbashkëta, të përafërta dhe në këtë formë do t’i ofrojnë qytetarëve dy oferta, për shkak se numri i madh i qytetarëve shkakton një kakofoni e cila demotivon qytetarin shqiptar që të marr pjesë në zgjedhjet dhe e demotivon të dal në votime”, thotë Xhelal Neziri, analist politik.
Sipas Nezirit jehona e daljes së qytetarit shqiptar në zgjedhjet parlamentare vërehet dukshëm se ka rënë që nga 2011 e këndej, ku dalja e shqiptarëve është deri në 40%. Mes tjerash, meqë ka shumë parti politike me qëllime të njëjta më nuk dominon interesi i përgjithshëm, por ai vetanak, grupor ose klanor, konkludon Neziri./Tv21