-Planin e rritjes së BE-së e shoh si një lehtësues që hap dyert për tregun e përbashkët evropian dhe qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Kjo kornizë strukturore e përforcuar me mbështetje financiare bëhet çelës i integrimit të pandërprerë. Kjo inkurajon miratimin e rregulloreve dhe standardeve evropiane, duke promovuar integrimin si në rajon ashtu edhe në BE. Kjo strategji e dyfishtë e integrimit jo vetëm që përshpejton procesin e anëtarësimit në BE, por sjell edhe përfitime të shpejta – rritje të tregtisë dhe investimeve, përmirësim të konkurrencës dhe lidhjes rajonale. Plani është një urë që lidh aspiratat me realitetin, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij në takimin e liderëve kushtuar Planit për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
Kovaçevski i cili është nikoqir i takimit, përmendi se Plani i rritjes shkon përtej strategjive ekonomike dhe është një forcë reale lëvizëse drejt të ardhmes së begatë në Ballkanin Perëndimor.
“Plani është një simbol i fuqishëm i angazhimit të palëkundur ndaj reformave, një hap vendimtar për transformimin dhe harmonizimin e ekonomive kombëtare me standardet e larta evropiane. Ky instrument është një moment përparimi për ne. Me të, vendet e Ballkanit Perëndimor do të përshpejtojnë reformat themelore duke krijuar një lidhje midis tregut të përbashkët rajonal. Në këtë proces, qasja për ndihmë financiare shtesë bëhet një element kyç. Instrumenti për reforma dhe rritje vepron si shtyllë financiare me të cilën mbështeten reformat”, nënvizoi Kovaçevski.
Në takimin në Shkup marrin pjesë kryeministrat e Shqipërisë -Edi Rama, ai i Kosovës -Albin Kurti, i Malit të Zi-Milojko Spaiq, presidenti i Serbisë- Aleksandar Vuçiq, ministri aktual i Financave dhe Thesarit në Këshillin e ministrave të Bosnjës e Hercegovinës -Sërgjan Amixhiq, si dhe Gert Kopman ,drejtor i përgjithshëm për fqinjësi dhe negociata për zgjerim në Komisionin Evropian dhe Xhejms O’Brajan, ndihmës sekretar shtetëror për Evropë dhe Euroazi të SHBA-së.
Të pranishëm janë edhe zëvendëskryeministri për Çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të organizatave rajonale, Këshilli rajonal për bashkëpunim, CEFTA dhe Forumi investues i odave të Ballkanit Perëndimor-6, si dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Komisioni Evropian e miratoi Planin për rritje të Ballkanit Perëndimor më 8 nëntor me të cilin vendeve të rajonit u jepet mundësi që të shfrytëzojnë një pjesë të përfitimeve të BE-së para se të bëhen anëtare të saja me qëllim që të nxitet rritja ekonomike dhe të përshpejtohet konvergjenca socioekonomike. Me Planin parashihet mbështetje financiare prej gjashtë miliardë euro për periudhën 2024-2027, prej të cilave dy miliardë euro në formë të granteve të pakthyeshme dhe katër miliardë euro hua koncesioni të siguruara nga BE-ja.
