
Në Mitrovicën e Veriut ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës nga radhët e komunitetit shqiptar, Erden Atiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për peticionin i cili nisi të nënshkruhej më 17 janar.
Ajo nuk ka specifikuar saktësisht se sa qytetarë kanë nënshkruar peticionin, por tha se janë të kënaqur me nënshkrimet dhe se kanë mbledhur më shumë se numri minimal i kërkuar, që është 20 për qind e votuesve të regjistruar.
Një peticion me së paku 20 për qind të votuesve të regjistruar duhet t’i dorëzohet kryetarit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tre ditë kohë për t’ia përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Përveç në Mitrovicë të Veriut, nënshkrimi i peticionit më 17 janar kishte filluar edhe në Leposaviq, ndërsa sot, më 19 janar, në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kryetarët shqiptar u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
