Avokati i Popullit Naser Zyberi do të parashtrojnë kallëzim penal për kontrollin e policisë në burgun e Idrizovës gjatë muajit tetor, për të cilët tha se janë keqtrajtuar.
Policia pa nevojë ka ushtruar dhunë ndaj këtyre personave, sepse nuk ka hasur në rezistencë, as gjatë hyrjes as gjatë ushtrimit të kontrollit. Po ashtu ka ushtruar dhunë edhe pasi i ka nënshtruar lidhur këta persona dhe i ka detyruar të pastrojnë terrenin nën presion dhe duke ushtruar dhunë”, tha Naser Zyberi, Avokat i Popullit.
Në prezantimin gjendjes me të drejtat e njeriut dhe liritë për vitin 2023, Zyberi foli edhe për shkeljen e të drejtave të nxënësve në arsim, se ka pasur mohim për mësim në gjuhën amtare.
Avokati i Popullit hapi lëndë dhe me këtë rast iu drejtua institucioneve përkatëse, Ministrisë së Arsimit, komunës Gazi Babë, Inspektoratit të Arsimit dhe drejtorisë së shkollës në Jurumler. Nga përgjigjet e para fitohet përshtypja se çdo institucion fajin ia adreson tjetrit, por në fakt nuk janë ndërmarrë masa për tejkalimin e problemit”, theksoi Naser Zyberi, Avokat i Popullit.
Vitin 2023 Avokati i Popullit e konsideron një vit të rëndë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve ku ai deklaron se u mbyll me një rast të rëndë me vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska.
Sa u përket kredive të shpejta, Zyberi tha se shoqëritë financiare vazhdojnë me dhënien e kredive pa vërtetim të saktë identiteti dhe pa transparencë për marrjen e kushteve të kredive. U shpreh se kjo ka sjellë në keqpërdorime dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve.
Për ndërrimin e dokumenteve personale Zyberi theksoi se ende nuk është tejkaluar problemi sepse në pikat që janë hapur po krijohen radhë të gjata, ndërsa shpenzimet për këto dokumente sipas tij duhet ti mbulonte Qeveria, por ky rekomandim nuk është marrë parasysh.
