Kryetarja Danela Arsovska dhe përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Armen Grigorian, morën pjesë sot në aksionin e madh të përbashkët për mbjelljen e 1500 pemëve dhe fidanëve në Kopshtin e ri Botanik në Shkup, i cili shtrihet në 12.600 metra katrorë. Siç njoftojnë nga Qyteti i Shkupit, ky aksion mbjellës i mbështetur nga UNDP-ja ka rëndësi të madhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe përballjen me ndryshimet klimatike, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit në Shkup.
Kopshti i ri Botanik, i cili dy vite më parë ishte një hapësirë e zbrazët dhe e parregullt, tashmë është një zonë e re e gjelbëruar për pushim dhe rekreacion të vizitorëve. Veprimi i përbashkët dhe mbështetja e UNDP-së për mbjelljen e 1500 pemëve dhe fidanëve të rinj është në përputhje me prioritetet e përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit. Dua të falënderoj UNDP-në për mbështetjen dhe përpjekjet e vazhdueshme në realizimin e përbashkët të projekteve në interes të qytetarëve, me qëllim të rritjes së cilësisë së jetës, si dhe mbrojtjes dhe përmirësimit të mjedisit – tha kryetarja Arsovska.
Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se rregullimi i Kopshtit Botanik është pjesë e një sërë projektesh nga programi “Për Shkupin Modern” për ndërtimin e sipërfaqeve të reja të gjelbra në qytet, ku deri më tani janë realizuar tre megaparqe të reja, ka filluar implementimi i megaparqeve të reja në komunën e Karposhit dhe në Kisela Voda, të cilat janë realizuar me qëllim të përmirësimit të mjedisit.
Në kopshtin e ri botanik mbillen lloje bimore autoktone të përhapura natyrshëm në Maqedoni, por do të ketë edhe specie bimore jo autoktone të sjella nga jashtë. Mbjellen edhe bimë endemike që janë specifike vetëm për Maqedoninë.
