Rezultatet e testit të fundit PISA të kryer në vitin 2022 kanë treguar se sa të dobët janë nxënësit tanë. Nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, Maqedonia është në vendin e 71-të në të kuptuarit e asaj që lexojnë, në vendin e 68-të për sa i përket njohurive në shkencat natyrore dhe në vendin e 61-të në fushën e matematikës. Këshilltar në Byronë për zhvillimin e arsimit, Ilir Memeti, për TV21 thotë se nxënësve u mungon kreativiteti dhe mendimi kritik si pasojë e mësimdhënies tradicionale të disa arsimtarëve.
“Faji përfshihet te të gjitha institucionet edhe te Ministria e Arsimit edhe te Byroja për zhvillimin e arsimit. Vet kolegët arsimtarë të cilët duhet të motivohen akoma më shumë për të rritur rezultate më të mira, por ajo kryesorja është byroja për zhvillimin e arsimit duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme sepse tani për tani nuk disponon kapacitete resurse njerëzore të cilët janë të përgatitur profesionalisht për ta mbështetur kuadrin mësimor në lidhje me këto aktivitete”, tha Ilir Memeti, Këshilltar në Byronë për Zhvillimin e Arsimit.
Edhe mësimdhënësi Satki Ismaili shprehet se kuadri arsimor nuk është i cilësisë së lartë. Ai thotë se nuk duhet të befasohemi me rezultatet e nxënësve sepse nuk kanë kushte për mësim, pasi siç shtoi, testimi i PISA-s është për zgjidhjen e problemeve nga jeta reale, e jo vetëm sa kanë mësuar përmendësh.
“Patjetër strategjitë arsimore të arsimit fillor sidomos në Maqedoni do të përpilohen nga ekspertë të cilët janë jashtë politikës, jo persona të cilët janë katër vite vijnë në pushtet, vjen tjetri; dhe atij nuk i interesojnë 4-5 vitet e kaluara, siç ndodhi ne po i kemi ato dëshmi, por të jenë strategji që kanë të bëjnë me atë se ku duhet ne të arrijmë pas një periudhe të caktuar. Lehtë është vetëm kur ne do të mendojmë se të arriturat do të jenë nëse bëjmë një ndryshim brenda një periudhe 3-4 vite. Jo!”, pohoi Satki Ismaili, mësimdhënës.
Blendi Hodai, përfaqësues i Forumit për Ndryshime në Arsim, thekson që rezultatet e vitit 2022 janë më të dobëta se ato të vitit 2018. Sipas tij institucionet nuk janë të përgjegjshme sa duhet.
“Mendoj që ka ardhur koha të mbahet përgjegjësi nga të gjithë aktorët që janë në katrahurë që janë në arsim. Dhe çka sugjerojmë si forum për ndryshim për sistemin arsimor, duhet që menjëherë të shpallet gjendje krize dhe emergjence në vend, në mënyrë që të fillohen të bëhen ndryshime radikale pa ndikim të partive politike, në mënyrë që në rezultatet tjera të PISA-s, të fillojmë të rangohemi siç duhet”, pohoi Blendi Hodai, drejtor ekzekutiv i Forumit për ndryshime në arsim.
Nga MASH dje duke shkruar për rezultatet në PISA, thanë se pasojat negative të pandemisë për cilësinë e arsimit në shkallë globale u konfirmua edhe nga studimi ndërkombëtar PISA i cili u realizua në vitin 2022 dhe të cilat tregojnë rënie të përgjithshme të nivelit të shkrim-leximit gjuhësor, matematikës dhe shkencave te nxënësit e moshës 15 vjeç në pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse. Po ashtu thonë se rezultatet do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për rishikimin e politikave aktuale dhe krijimin e politikave arsimore të ardhshme.
