
Sergei Lavror, ministri Punëve të Jashtme të Rusisë ka arritur në Shkup për të marrë pjesë në Këshillin ministror të OSBE-së.
Për këtë ka njoftuar vetë faqja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë në platformën X.
Për prezencën e kryediplomatit rus në Shkup, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se Lavrov duhet të dëgjojë se pse Rusia është izoluar dhe sanksionuar
“Ky është një rast i mirë që ai [Sergei Lavrov] të dëgjojë nga pjesëmarrësit e këtij takimi pse Rusia është dënuar dhe izoluar, dhe më pas ai do të mundë të kthehet në Kremlin dhe t’i thotë zotit të Kremlinit se BE-ja dhe OSBE-ja mbeten të bashkuara në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë”, tha Borrell.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Shkup të mërkurën mbrëma, ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani.
Por Blinken nuk do të ketë takim me Lavrovin, pikërisht për shkak të luftës në Ukrainë.
Më 24 shkurtit të vitit 2022 Rusia e nisi agresionin në Ukrainë, duke bërë që perëndimi t’i vendosë më pas sanksione.
Sanksionet kanë prekur edhe njerëzit e fuqishëm që janë për rreth presidentit rus, Vladimir Putin.
