Hapja për herë të parë e paraleles shqipe në shkollën fillore “Todor Janev” të Komunës Çashkë ka revoltuar banorët maqedonas të kësaj pjese, shkruan Alsat.
Ata tashmë disa ditë nuk lejojnë që fëmijët të realizojnë procesin mësimor duke kërkuar shfuqizimin e vendimit dhe kthimin e kompetencave të arsimit në Komunën Çashkë.
“Nëse është i gatshëm ti ndajë atëherë le t’ju ndërtojë shkollë në Banjicë. Ne mbetemi në qëndrimin që fëmijët të mbeten dhe të mësojnë siç kanë mësuar deri më tani me fëmijët tanë, këtë askush nuk e ndalon dhe askujt nuk i pengon. Ne na pengon ndarja dhe nëse këtë e ka vendosur ministri këtë ta bëj në mënyrën më pak të dhimbshme sepse këtu do krijohen tensione të panevojshme, madje edhe është ky tension”, tha Cveta Peshevska, këshilli i prindërve.
Pasi shkolla në Çashkë ishte e mbyllur, Alsat udhëtoi drejt fshatit Banjicë nga janë numri më i madh i nxënësve shqiptarë. Banorët e fshatit mbeten në qëndrimin se është koha e fundit që fëmijët shqiptarë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
“Është turp fëmijët të mësojnë maqedonisht kur kanë mundësi të mësojnë në gjuhën e vet. Për ato fëmijë unë jetoj në shtëpi vetëm a fëmijët më rrinë në Shkup, për atë shkollë. Pse mos me mësu në komunën tonë shqip, për çka, çka u pengon maqedonasve nuk e di”, theksoi banori i fshatit Banjicë.
