Ka përfunduar hetimi i policisë për ngjarjet e dhunshme të së Majtës në Kuvend. Ata kanë dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Publike të Shkupit.
“SPB Shkup ka dërguar njoftim në Prokurorinë Themelore Publike Shkup dhe po procedohet sipas udhëzimeve të PThP – Shkup për zbardhjen e plotë të rastit.”, njofton MPB-ja.
Kanë përfunduar edhe vlerësimet nga një komision parlamentar, një kompani sigurimesh dhe nga Byroja e ekspertizës mjeko-ligjore, njofton zyra e kryeparlamentarit. Sasia e dëmit pritet të bëhet e ditur. Nga partia e Majta ndërkohë, kanë thënë se do ta paguajnë dëmin e shkaktuar, por në të njëjtën kohë njoftuan se do të ngrenë padi kundër kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.
“Dëmin do ta paguajë e Majta për secilin dëmtim të pronës publike, por më thoni se kush do ta paguajë dëmin e milionave të vjedhura përmes krimit të funksionarëve, që tani u amnistuan me Kodin Penal. Kush do t’u paguaj dëmin pacientëve të Onkologjisë të cilët përfunduan siç e dimë, deri sa çdo ditë e më shumë po pasurohen oligarkët.”, – theksoi Amar Mecinoviq nga e Majta.
Social-demokratët thonë se patjetër të ketë dënim për dhunën e ushtruar në Kuvend nga e Majta.
“I gjithë opinioni maqedonas e ka parë se çfarë pason me të Majtën dhe DPMNE-në, se çfarë kaosi i ndjek qytetarët. Sjellja e së Majtës dhe DPMNE-së ndaj Kuvendit është sjellje ndaj shtetit, ndaj qytetarëve. LSDM-ja nuk do të lejojë që të kenë sukses skenarët e të Majtës pro-ruse dhe partnerëve të tyre të koalicionit si DPMNE-ja.”, – deklaroi Mile Talevski nga LSDM-ja.
Incidentin e së Majtës, VMRO-DPMNE-ja opozitare e ka cilësuar si teatër virtual i partisë së Apasievit, të mbështetur nga pushteti, i cili për qëllim kishte ngritjen e rejtingut të reduktuar nga të dyja palët.
“Pse e Majta nuk bëri kështu për tema të tjera shumë më të rëndësishme se sa ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të cilat bëhen shpesh. Ky skenar i Qeverisë dhe i së Majtës është aq i dukshëm sa që as Misovski dhe as Talat Xhaferi nuk kanë thirrur sigurimin e Kuvendit, kur për 10 minuta dikush thyen Kuvendin.”, thanë nga VMRO-ja.
Për shkak të incidentit në sallën plenare, seanca është zhvilluar në sallën e madhe. Ndonëse është dashur të ketë debat për shtyrjen e afatit të punës së Komisionit Anketues për rastin “Onkologjia”, nuk ka ndodhur, me arsyetimin se nuk ka pasur mundësi biznesi. Nuk kishte as kuorum për të zgjedhur një drejtor OTA.