Projektligji për amnisti, i propozuar me procedurë të shkurtuar nga ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, është në rend dite të seancës së sotme të 129-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ligji i propozuar është pika e 26-të e rendit të ditës. VMRO-DPMNE-ja opozitare njoftoi se do ta bllokojë miratimin e ligjit duke dorëzuar një numër të madh të amendamenteve, ndërsa LSDM-ja paralajmëroi amendamente për të liruar nga amnistia të dënuarit në rastin “Monstra”, transmeton Portalb.mk.
Në seancën e sotme të 129-të të Kuvendit, ndër pikat e rendit të ditës janë edhe Propozimi për interpelancë për punën e prokurorit të shtetitLjubomir Joveski, i dorëzuar nga deputetët e opozitës, si dhe propozimi për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Interpelanca e Joveskit është pika e 13-të e rendit të ditës të seancës.
Propozuesit e interpelancës të publikuar në ueb-faqen e Kuvendit – Afrim Gashi, Izet Mexhiti, Kastriot Rexhepi, Merita Kollçi Koxhaxhiku, Safije Sadiki Shaini, Fadil Zendeli dhe Husni Ismaili – theksojnë se ajo bazohet në pretendime të rënda se Prokuroria ka fshehur fakte dhe informacione në të gjithë procedurën, në vend që të përcaktohen fajtorët kryesorë ngrihen akuza ndaj palëve të treta, për të mbrojtur, siç thonë ata, disa politikanë dhe anëtarë të elitave të biznesit, të cilët janë përfshirë në ndërtimin e spitaleve modulare gjatë pandemisë.
Ndërkohë sipas projektligjit të njoftuar për amnisti, ulja e dënimeve me burg nuk do të përfshijë të dënuarit me burgim të përjetshëm, si dhe për krimet e vrasjes, mashtrimit në zgjedhje dhe votimit, ryshfet dhe korrupsion, përdhunim dhe dhunë në familje, shpërdorim detyre apo mashtrim me para nga fondet evropiane.
Amnistia nuk do të zbatohet për të dënuarit për shpërdorim detyre. Për të dënuarit dhe të akuzuarit për shpërdorim detyre, ulje dënimi me burg parashikon një ligj tjetër, pra me ndryshimet në kodin penal, të cilat u kritikuan nga komuniteti ndërkombëtar për mënyrën se si janë adoptuar.
Aktualisht në vend janë 2.345 të dënuar, prej të cilëve 250 janë dënuar me burgim deri në 6 muaj, që do të thotë se nëse ligji miratohet do të lirohen.
Një ligj për amnisti është miratuar edhe pesë vite më parë, në fillim të vitit 2018. Pastaj ka pasur një debat më të madh publik – nëse dënimi i autorëve të krimeve duhet të falet në emër të mungesës së hapësirës apo risocializimit më të mirë.
