Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen vizitën zyrtare në shtet sot e vazhdon me takime në Qeveri me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ku do të pritet me nderime më të larta shtetërore.
Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski do ta presë kryetaren e Komisionit Evropian, Fon der Lajen me ceremoni zyrtare për pritje me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake. Menjëherë pas ceremonisë së pritjes është paraparë takim tet-a-tet me kryeministrin Kovaçevski, pas çka vijon takim bilateral të dy delegacioneve.
Në përbërje të delegacionit të Maqedonisë së Veriut do të jenë edhe Artan Grubi, zëvendës kryetar i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Bojan Mariçiq, zëvendës kryetar i Qeverisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova, ministre e Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor dhe Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë.
Pas takimeve, Kovaçevski dhe Fon der Lajen do të mbajnë konferencë për shtyp, pas çka do ta vizitojnë fabrikën për përpunimin e pemëve dhe perimeve në afërsi të Shkupit, shfrytëzues të mjeteve nga IPARD programi, të financuar nga BE-ja.
Kryetarja e Komisionit Evropian dje pasdite udhëtoi në Shkup, ndërsa në Aeroportin ndërkombëltar është pritur nga zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, pas çka realizoi takim në vila Vodno me presidentin Stevo Pendarovski.
Sipas kumtesës nga Kabineti presidencial, Pendarovski dhe Fon der Lajen kanë biseduar për procesin e negociatave qasëse të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe situatën aktuale në rajon, ndërsa në këtë drejtim janë shkëmbyer informacione për fazat e mëtejshme të negociatave pas përfundimit të procesit të skriningut dhe dinamikën e implementimit të reformave.
Në takim është biseduar edhe për raportin e ardhshëm të KE-së për progresin e Maqedonisë së Veriut si vend kandidat si dhe për Planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, me çka presidenti Pendarovski falënderoi BE-në për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj politikës së zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pendarovski dhe Fon der Lajen kanë shkëmbyer mendime edhe për rëndësinë strategjike rreth implementimit të ndryshimeve të Kushtetutës dhe implikimet e mëtejshme të perspektivës evropiane të vendit.
Pas takimit në platformën X, Fon der Lajen ka shkruar se siç po përparon Maqedonia e Veriut në reformat, ashtu edhe e hap rrugën e saj drejt BE-së.
“Me padurim presim t’ju urojmë mirëseardhje, identitetit tuaj të veçantë dhe gjuhës suaj, gjuhës maqedonase”, thekson Fon der Lajen, duke shprehur kënaqësinë që turneu i saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor në tre ditët e ardhshme fillon pikërisht nga Shkupi.
Siç kumtoi më parë kabineti i Pendarovskit, në takim është biseduar për procesin e negociatave qasëse të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zhvillimet aktuale politike në vend dhe gjendjen aktuale në rajon.
Kryetarja e KE-së, siç deklaroi për MIA-n zëvendës kryeministri Mariçiq në fund të vizitës punuese në Bruksel, vjen në Shkup që të bisedojë për reformat e nevojshme dhe të domosdoshme dhe për mjetet shtesë që duhet t’i marrë vendi si ndihmë nga BE-ja dhe motivimin e reformave, si dhe për obligimet që na presin, që ta kompletojmë këtë fazë të qasjes dhe të kalohet në fazën e dytë, respektivisht hapjen e klasterit dhe me këtë të paralajmërohet edhe fundi i skriningut.
Fon der Lajen nga Shkupi e fillon turnenë katërditore në Ballkanin Perëndimor. Prej këtu, ajo udhëton për në Prishtinë, e pastaj do t’i vizitojë Podgoricën, Beogradin dhe Sarajevën. Vizitën, siç u paralajmërua, Fon der Lajen do ta shfyrtëzojë që të bisedojë për bashkëpunimin bilateral me liderët rajonalë dhe më hollësisht t’ua prezantojë Planin e BE-së për rritje për Ballkanin Perëndimor.
Në Prishtinë ajo do të takohet me preisdenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Sipas paralajmërimit të Komisionit Evropian, turnenë në Ballkanin Perëndimor, Fon der Lajen nesër do ta vazhdojë me vizitë në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin malazez, Jakov Milatoviq dhe kryeministrin, Dritan Abazoviq.
Nga Podgorica, Fon der Lajen gjatë ditës së nesërme niset për në Beograd në takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Bërnabiq.
Turnenë në vendet e Ballkanit Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian do ta përfundojë të mërkurën me vizitë në Sarajevë, ku do të takohet me Kryesinë e BeH-së dhe me kryesuesen e Këshillit të ministrave, Borjana Krishto.
