Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mohoi akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale për përfshirjen në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Ai e cilësoi “kosh mbeturinash” dosjen e Prokurorisë ndërkaq akuzoi kryeministrin Edi Rama për manipulime dhe trillime të çështjes në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
“…kemi të bëjmë me një dacibao, fletërrufe për ata që nuk e dinë se çfarë janë, që në çdo paragraf shpreh dufet dhe urrejtjet e përroit psikik të Edi Ramës, ligësinë e tij shpirtëore dhe të skapistëve që ndajnë të njëjtin moral me të. Ajo është një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze, të cilat faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë të vendosura ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im”, tha Sali Berisha, kryetar i PD-së.
Ndërkaq Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri, 16 prej të cilave të paluajtshme, në pronësi të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezit. Gjithashtu nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, u vu në pranga, me akuzën për 2 vepra penale, ndërsa për ndërtuesin Fatmir Bektashi u vendos masa detyrim paraqitje për shkak të moshës.
Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-Klubit Sportiv Partizani. Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.
Ndërkohë, për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata e Posaçme e ka ndaluar atë të dalë jashtë vendit.