Edhe pse niveli i inflacionit në shtator 2023 shënon ulje, harxhimet e larta të jetesës po vazhdojnë të zbrazin kuletën e qytetarëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 tetor – Inflacioni në muajin shtator është zvogëluar në 6.6 për qind në raport me 8.3 për qind në muajin gusht, tregojnë të dhënat e Entit të Statistikës. Mirëpo, përderisa po ulet inflacioni, çmimet e shitjes me pakicë shënojnë rritje me 4.7 për qind ndërsa kostoja e jetesës në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar shënoi rritje prej 6.6 për qind. Me fjalë të tjera, edhe pse niveli i inflacionit në shtator 2023 shënon ulje, harxhimet e larta të jetesës po vazhdojnë të zbrazin kuletën e qytetarëve. Nga ekzekutivi thonë se më shumë masa kanë ndikuar në uljen e inflacionit. Humbja e vleftës së parasë në periudhën e fundit dhe efektet qeveritare së fundmi kanë përplasur edhe LSDM-në në pozitë dhe partinë opozitare VMRO-DPMNE. “Politikat e suksesshme ekonomike të Qeverisë së LSDM-së po japin rezultate, ekonomia është elastike në kohë krize globale, ndërsa është e pritshme që edhe rritja e pagave në të gjithë sektorët dhe rritja e pensioneve do të ndikojnë në mënyrë pozitive në rritjen ekonomike prej 2.5 për qind sivjet dhe 3.2 për qind në vitin e ardhshëm. Parashikimet e FMN-së janë se rritja e PBB-së në vend do të jetë më e lartë se ajo e Serbisë, Bullgarisë, Sllovenisë, si dhe 1.8 për qind më e lartë se mesatarja e BE-së”, tha zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.
